Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 23 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion policor antidrogë i koduar “DISTRIBUTORI”. Operacioni i ndjekur me metoda speciale të hetimit për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Sekuestrohet rreth 1.1 kg cannabis sativa, 6 aparate celulare dhe një sasi lekësh. Në pranga 1 shtetas që ushtronte këtë veprimtari kriminale, si dhe procedohet një shtetas tjetër. Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni i Narkotikëve në D.V.P Tiranë pas një pune hetimore disamujore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër te procedimit të vitit 2019, ndjekur me metoda speciale te hetimit, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “DISTRIBUTORI”, duke arrestuar në flagrancë shtetasin E.M., 29 vjeç, banues në Tiranë. Pas dokumentimit të këtij aktiviteti kriminal, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin E.M. Menjëherë nga Seksioni për Hetimin e Narkotikeve është organizuar puna per ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe kapjen e tij në flagrancë, e cila u realizua gjatë mbrëmjes së djeshme në rrugën “Myslym Shyri”, ku ky shtetas ishte duke tregtuar lëndë narkotike cannabis sativa. Gjatë kontrollit në ambientet e përdorura nga ky shtetas, Policia gjeti tri qese me lëndë narkotike canabis sativa, të ndara në doza dhe të futura në qese farmaceutike, të gatshme për treg. Seksioni Për Hetimin e Narkotikëve gjatë kohës së ndjekjes me metoda speciale të hetimit ka bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore (foto, video dhe raporte vezhgimi) të aktivitetit kriminal të shitjes së lëndës narkotike nga ky shtetas, duke realizuar edhe kapjen e disa personave që blinin tek shtetasi E.M. Gjithashtu në kuadër të operacionit, u procedua në gjendje të lirë shtetasi L.I., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”

Dibër – Një tjetër shtetas i shpallur në kërkim bie në prangat e Policisë. Kapet 32-vjeçari i shpallur në kërkim për “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”. Kapja e tij u bë gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Dibrës dhe Policisë së Tiranës. Në vijim  të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tyre, nga Strukturat e DVP Dibër në bashkëpunim me DVP Tiranë,  u kap dhe u arrestua shtetasi i shpallur në kërkim M.T, 32 vjeç, banues në Bulqizë. Ky shtetas është shpallur në kërkim nga Komisariati i  Policisë  Bulqizë,  pasi më datë 16.06.2019,  në bashkëpunim me vëllain e tij shtetasin A.T, për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit  B.D. 41 vjeç, i cili udhëtonte me automjetin e tij në qytetin e Bulqizës. Kjo ngjarje është nën hetim nga Prokuroria.

Tiranë – Mashtronte biznesmenë, u premtonte projekte të mëdha ndërtimi të financuara nga një organizatë e huaj, vihet në pranga shtetasja. Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, pas marrjes së kallëzimit nga pronarë të disa bizneseve, se një shtetase, nëpërmjet mashtrimit, kishte përvetësuar fondet e tyre për përfitime personale duke u prezantuar si përfaqësuese e një organizate të huaj, bënë kapjen dhe ndalimin e V. P., 64 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase prezantohej si përfaqësuese e një organizate të huaj dhe duke përdorur emrin e organizatës, mashtronte duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash nga biznesmenë të ndryshëm, të cilëve u premtonte financime në projekte të mëdha ndërtimi. Materialet procedurale në ngarkim të kësaj shtetaseje, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Tiranë – Kundërshtuan me dhunë shërbimet e Policisë të komisariatit Nr.6, vihen në pranga dy shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.6, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, të shtetasve E.F., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe M. F., 54 vjeç, banues në Tiranë. Këta persona më datë 22.07.2019, gjatë një tubimi pranë “Unazës së Re” kanë goditur me sende të forta dhe kanë penguar për kryerjen e detyrës tre punonjës të policisë, të cilët ishin dislokuar në shërbim për ruajtjen e rendit publik. Gjithashtu këta shtetas kanë kundërshtuar me dhunë, duke i goditur me sende të forta efektivët e policisë të Komisariatit Nr.6, në momentin e shqoqërimit të tyre për në ambientet e Policisë. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Policia vë në pranga 39-vjecarin, i shpallur në kërkim gjatë operacionit antikanabis “Lugina 2”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.6 falë një pune të mirëorganizuar vunë në pranga  shtetasin e shpallur në kërkim E. G., 39 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit M.G. dhe T. G., kishin kultivuar ne vendin e quajtur  “Përroi i Bllomes”, në pyllin e fshatit Mënik, 60 bime të dyshuara Canabis Sattiva. Gjatë operacionit antikanabis “Lugina 2, të zhvilluar më 12 korrik 2019, shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Nr.6 arrestuan në flagrancë shtetasit M.G dhe T.G, ndërsa shtetasi E.G mundi të largohej. Materialet në ngarkim të tij iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar në flagrancë, 5 janë ndalur dhe 59 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 5 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim: 1 në Tiranë, 2 në Gjirokastër, 1 në Dibër, 1 në PKK Port.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 1 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 2 në Lezhë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Vlorë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 3 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si edhe 10 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, ku 1 autor është arrestuar në flagrancë dhe 1 autor po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Berat dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organzimi i lotarive të pajeluara”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në qarkun Korçë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Goditjet për shkak të detyrës”, 1 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në qarkun Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 16 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në qarkun Tiranë.

Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, në Tiranë, i cili është arrestuar në flagrancë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.