Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “GREEN SEED 2”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Komisariatin e Policisë Gjirokastër. Sekuestrohen 1381 fara të dyshuara si e bimës narkotike cannabis sativa, 3 armë gjahu pa leje dhe 21 fishekë arme gjahu. Vihet në pranga poseduesi. Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Komisariatin e Policisë Gjirokastër, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor “GREEN SEED 2”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi L. K., 59 vjeç, banues në fshatin Këllëz, Gjirokastër. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjetën 1381 fara të dyshuara si e bimës narkotike cannabis sativa, 3 armë gjahu pa lejet përkatëse dhe 21 fishekë arme gjahu, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të shtetasit L. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Tiranë/Informacion paraprak – Sot në orët e para të mëngjesit, në zbatim të vendimit për shembjen e disa banesave në rrugën “5 Maji”, gjatë rezistencës së banorëve, janë dëmtuar në detyrë 5 punonjëse të Policisë së Shtetit dhe 3 punonjës të Policisë Bashkiake. Ata kanë marrë dëmtime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, duke marrë ndihmën mjekësore. Strukturat e DVP Tiranë, të angazhuara në planin e punës, në mbështetje të strukturave të IMT-së dhe Policisë Bashkiake, janë mbështetur më pas nga FNSH që kanë normalizuar situatën dhe kanë krijuar mundësinë për vijimin e shembjeve. Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në Komisariat dhe cilido që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, do përballet me ligjin. Policia e Shtetit apelon për këdo të ndalë e shmangë aktet e dhunës mbi forcat e rendit, në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit.
Tiranë – Falë reagimit të Policisë, parandalohet tentativa për vjedhje në një bankë të nivelit të dytë, duke përdorur tunele të nëndheshme. Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë. Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 66 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 16 janë arrestuar në flagrancë dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 1 në Shkodër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 6 raste me 5 autorë që po procedohen në në gjendje të lirë dhe 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike.
Në Gjirokastër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë.
Në Gjieokastër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.
Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për këtë vepër penale.
Në Durrës janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 për “Shpërdorim detyre”, 1 për “Mashtrimi” dhe 1 për “Pushtim toke”.
Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Në Berat janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 për “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe 2 për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në Dibër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe janë arrestuar 2 të tjerë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.