Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 qershor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Këlcyrë-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Përmet arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 17 vjeç, banues në Këlcyrë, pasi mbrëmjen e djeshme, në Këlcyrë, ka goditur me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta, shtetasin M. J., 18 vjeç, banues në Këlcyrë, i cili ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Këlcyrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (thikë).Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Tiranë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Pedals”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4.Kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas që vidhnin biçikleta. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.Gjatë kontrollit në banesat e tyre, gjenden dhe sekuestrohen 4 biçikleta të dyshuara të vjedhura.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore se disa shtetas vidhnin biçikleta në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pedals”.Si rezultat i këtij operacioni u ndaluan me iniciativë shtetasit:M. D., 20 vjeç, K. M., 19 vjeç, E. C., 18 vjeç dhe D. L., 20 vjeç, të katërt banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi M. M., 19 vjeç, banues në Berat.Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur disa biçikleta, në kohë dhe në vende të ndryshme.Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 26.05.2022, në Rrugën e Dibrës, kanë vjedhur një biçikletë me vlerë 5000 euro.Gjatë kontrolleve të banesave të këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 biçikleta të dyshuara të vjedhura.Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga këta shtetas.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Sarandë-Vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Seven”.Transportonte 7 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 55-vjeçari.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Komisariatit Sarandë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Seven”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi H. Ç., 55 vjeç, banues në Tiranë.Në lagjen nr.2, Sarandë, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin H. Ç., duke transportuar me automjetin “Volvo”, 7 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti që përdorte shtetasi H. Ç.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 12 janë ndaluar, 20 janë arrestuar, 52 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 6 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të arrestuar.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 8 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale me objekt falsifikimin e dokumenteve të ndryshme janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 7 raste, prej tyre 4 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa 3 rastet e tjera rezultojnë me 6 shtetas të ndaluar, si dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Ne fushën e veprave penale me objekt trafiqet janë evidentuar 8 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i rënies zjarr, për të cilin dyshohet se është ngjarje aksidentale, vijon puna nga ana e Policisë, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e tij.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 8 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Fyerja”, “Përndjekja”, “Moskallëzimi i krimit” dhe  “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi qendrimit”, me 1 shtetas të arrestuar, si dhe 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale me objekt veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit është evidentuar 1 rast, me 7 të arrestuar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, si pasojë e të cilëve 8 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 6 shtetas të arrestuar, si dhe me 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.