Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Memaliaj – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Vasjari”. Sekuestrohen 103 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe një armë zjarri pistoletë. Arrestohen në flagrancë 6 shtetas dhe një tjetër shpallet në kërkim. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe të Stacionit të Policisë Memaliaj, organizuan dhe finalizuan operacionin “Vasjari”, ku si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: R. J., 45 vjeç, banues në Vlorë; M. Z., 26 vjeç, banues në fshatin Amanikaj, Memaliaj; L. K., 55 vjeç, banues në Mallakastër; S. D., 30 vjeç, banues në Vlorë; M. B., 20 vjeç, banues në fshatin Vasjar, Memaliaj dhe E. S., 30 vjeç, banues në Memaliaj. Gjithashtu u shpall në kërkim dhe një shtetas tjetër. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur Mogila, në një banesë të pabanuar po përpunonin dhe paketonin 103 kg lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, me qëllim transportimin në drejtim të qytetit të Vlorës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, një armë zjarri pistoletë TT, 3 automjete, 11 telefona celularë, një peshore mekanike, një sasi parash dhe numra të ndryshëm telefonash. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.
Krujë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Cudhi”. Zbardhet në kohë rekord vjedhja nën kërcënimin e armës së xhiros ditore të një lokali në Krujë. Vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar, i cili gjatë momentit të arrestimit u kap me dy pistoleta në brez. Specialistët për hetimin e krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur zbardhjen në kohë rekord të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 19 janar, në qytetin e Krujës, ku dy persona, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën xhiron ditore prej 20000 lekësh kamerierit të një lokali, në qytetin e Krujës. Bazuar në prova të grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cudhi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 24 vjeç, banues në fshatin Kroj Madh të Njësisë Administrative Cudhi, Krujë. Si dhe u shpall në kërkim policor bashkautori tjetër i ngjarjes, për të cilin nuk i bëjmë me dije të dhënat për arsye hetimore. Gjatë operacionit, në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën për të ushtruar kontroll, shtetasi A. K. ka dalë nga banesa me dy armë zjarri pistoleta në brez, por është neutralizuar dhe arrestuar nga forcat e policisë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy armët e zjarrit pistoleta me dy krehra me fishekë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 68 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 47 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Durrës; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja”, në Tiranë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 2 në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 9 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.