Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 2 korrik 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Pallati”, për zbardhjen e vjedhjeve në banesat e dëmtuara nga tërmeti. Arrestohet një 35-vjeçar me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes. Zbardhen dhe dokumentohen 7 vjedhje të ndodhura gjatë muajve të fundit në qytetin e Durrësit. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, si rezultat i një pune të mirorganizuar, në kuadër të operacionit të koduar “Pallati”, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. K., 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas, gjatë muajve të fundit, ka kryer disa vjedhje në qytetin e Durrësit, duke u futur në banesat e dëmtuara nga tërmeti që janë të braktisura nga banorët, ku ka vjedhur sende dhe orendi të ndryshme, konkretisht: Më datë 16.04.2020, në lagjen nr. 17, Durrës, dyshohet ka vjedhur në një pallat, 10 matës uji; Më datë 29.04.2020, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit N. K., matësin e energjisë elektrike; Më datë 29.05.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka vjedhur matësit e energjisë elektrike në një pallat; Më datë 19.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në banesën e shtetases A. Ll., një kondicioner; Më datë 19.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet e ka vjedhur 10 matës uji në një pallat 5-katësh në pronësi të shtetasit Sh. H.; Më datë 23.06.2020, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se ka vjedhur mobiliet në banesën e shtetases R. B.; Më datë 26.06.2020, në lagjen nr. 17, Durrës, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit S. A. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.

Maliq – Më datë 01.07.2020, në fshatin Pirg, Maliq, në banesën e shtetasit D. Ç., 48 vjeç, shtetas të paidentifikuar dyshohet se kanë vjedhur me dhunë një sasi lekësh dhe eurosh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 8 shtetas dhe u procedua penalisht 1 shtetase, për vepra të ndryshme penale. Sekuestrohen lëndë narkotike dhe një armë e ftohtë. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasin K. H., 36 vjeç dhe proceduar penalisht shtetasen L. R., 30 vjeç, pasi në rrugën “Jordan Misja”, gjatë kontrollit fizik, këtyre shtetasve Policia i gjeti dhe i sekuestroi në cilësinë e provës materiale 11 gr. lëndë narkotike heroinë, e ndarë në doza gati për shitje. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. M., 23 vjeç dhe shpallja në kërkim e shtetasit E. N., 27 vjeç, pasi gjatë natës, në rrugën “Fatmir Haxhiu”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur biçikletën e shtetasit G. B. dhe biçikletën e shtetasit A. Th. Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. R., 18 vjeç, pasi në rrugën “Gaqo Tashko”, u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Gjatë kontrollit në mjet u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një dorezë hekuri që shërben si përforcues grushti. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. G., 29 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, sepse gjatë natës, në fshatin Valias i Vjetër, ka tentuar të vjedhë në ambulancën mjekësore të fshatit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. B., 28 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën dytësore tek mbikalimi Harizaj-Lekaj, ka aksidentuar me pasojë vdekjen,  shtetasen T. L. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E. K., 25 vjeç dhe L. H., 36 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse dhe K. L., 18 vjeç, pasi ditën e djeshme, te Bulevardi Blu, ka aksidentuar shtetasin R. M., këmbësor, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shijak – Vijojnë operacionet kundër krimeve mjedisore. Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun e Durrësit, në bashkëpunim me IKMT. Procedohen penalisht 2 shtetas, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Shkatërrim i pronës”. Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e krimeve mjedisore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak proceduan penalisht shtetasit: D. K., 49 vjeç, banues në Shijak, pasi është konstatuar nga përfaqësuesit e Drejtorisë Bujqësisë dhe IKMT-së, në një sipërfaqe toke në pronësi të tij, duke bërë gërmime dheu, pa dokumentacionin përkatës dhe L. K., 56 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke kryer gërmime me disa mjete të firmës së tij, pranë shtratit të lumit Erzen, në fshatin Çezmelie, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak. Nga ana e IKMT-së u vendos masë administrative 2 milion lekë për shtetasin L. K. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 101 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 78 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 21 raste: 6 raste të “Kanosja”, 4 në Tiranë dhe 2 në Elbasan; 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 1 Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 2 në Durrës, 2 në Elbasan, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 17 raste, 4 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 në Durrës, 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 7 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Berat, 1 në Shkodër dhe 2 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Mashtrimi”, Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 3 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kanosja për shkak të detyrës”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të lejuara”, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, 2 në Tiranë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Lezhë dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 2 në Tiranë dhe 1 në Berat.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.