Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 Tetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Burrel – Marrin me forcë në automjet një 31-vjeçar, falë reagimit të mënjehershëm të Policisë, vihet në pranga njëri nga pengmarrësit, shpallen në kërkim 3 të tjerë, si dhe ndiqet penalisht në gjendje të lirë 1 tjetër. Sekuestrohet 1 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe automjeti me të cilin kanë marrë peng 31-vjeçarin. Më datë 17.10.2019, rreth orës 03:40, Policia e Komisariatit Mat ka marrë informacion se në lagjen “Pjetër Budi”, në Burrel, po ndodhte një konflikt mes disa personave. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë nisur hetimet për verifikimin e rastit dhe rezultoi se shtetasi S. L., në bashkëpunim me shtetasit L. I., M. B., S.L., dhe I.K, për shkak të një konflikti të hershëm dyshohet se nën kërcënimin e armës ka marrë me forcë në automjet shtetasin A. H., 31 vjeç dhe më pas e ka dërguar në banesën e shtetasit I. K., në fshatin Batër e Madhe, Burrel. Falë reagimit të mënjehershëm të Policisë dhe hetimeve të kryera nga ekspertët e Policisë është bërë i mundur arrestimi i shtetasit S. L., 32 vjeç, banues në Burrel. U shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve: S. L., 31 vjeç, L. I, 34 vjeç, M. B., 24 vjeç, të gjithë banues në Burrel. Si dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë shtetasi I. K. Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar nga Policia arma e zjarrit tip kallashnikov model 56, me 15 fishekë dhe automjeti tip “Mercedes Benz”, i përdorur nga këta shtetas. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Mat për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe minicioneve luftarake”.

 

Vlorë – Kapet shtetasi i shpallur në kërkim për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më 6 tetor. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në vijim të punës intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët ka bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. R., 46 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim për ngjarjen si vijon: Më datë 06.10.2019, në një lokal të lagjes “Partizani”, si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi A. R. ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë) duke plagosur rëndë shtetasin G. Ll., 46 vjeç, me banim në Vlorë. Menjëherë në vijim të kësaj ngjarjeje është arrestuar në kushtet e flagrancës pronari i lokalit, i cili nuk ka bërë kallëzim pranë organeve të policisë dhe ka prishur gjithashtu edhe provat në vendngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të shtetasit A. R. për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 24 janë arrestuar, 4 janë ndalur dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, dhe 1 në Korçë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 12 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 2 në Durrës dhe 1 në Gjirokastër, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 në Berat, 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lire dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, në qarkun Durrës, ku 1 autor është arrestuar në flagrancë dhe 1 autor po procedohet në gjednej të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tirana, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 2 në Shkodër, 1 në Dibër dhe 1 në Tiranë.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.