Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 shkurt 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Krujë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Arrestohet një 38-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjet një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Sekuestrohen rreth 39 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas i shpallur në kërkim fshihej në banesë dhe dispononte lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit H. F., të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Korçë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës dhe në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 39 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, arrestuan në flagrancë shtetasin H. F., 38 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – U konstatuan jashtë orarit të lejuar në ambientet e lokalit që e kishin përshtatur për përdorim droge, vihen në pranga 5 shtetas.  Sekuestrohen lëndë narkotike kokainë e kanabis dhe sende të tjera të kundërligjshme. Punonjësit e Policisë të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një lokal që qëndronte i hapur jashtë fashës orare, në kundërshtim me masat anticovid, ishte përshtatur për shitje dhe konsumin të lëndëve narkotike kokainë, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në ambientet e këtij subjekti. Gjatë kontrollit në subjektin që administrohej nga shtetasi M. I. u gjetën dhe u sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, 1 peshore elektronike dhe sende të tjera të kundërligjshme. Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë administratori i lokalit, shtetasi M. I., 36 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, dhe klientët që u gjetën në lokal, shtetasit R. I., 37 vjeç, P. S., 33 vjeç, M. S., 29 vjeç dhe L. I., 33 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 22 vjeç, pasi në bulevardin “Bajram Curri”, gjatë kontrolli fizik dhe kontrollit të mjetit me të cilin ky shtetas qarkullonte u gjet një sasi me lëndë të dyshuar cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: B. L., 31 vjeç, pasi në Rrugën e Elbasanit ka kundërshtuar me dhunë, për shkak të detyrës, punonjësit e policisë së rendit public; D. S., 43 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe fëmijëve të tyre të mitur, të cilëve iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Mashtrimi”, i shtetasit M. I., 28 vjeç, sepse me datë 26.01.2021, me anë të mashtrimit, ka marrë me qira një mjet dhe nuk ia ka kthyer më shtetases I. J. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit  Sh. Ç., 36 vjeç, pasi në Kamzë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetases G. Xh., 28 vjeçe, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.58 mg/l. Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 filluan procedimin penal ndaj shtetaseve E. L. dhe I. L., sepse nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M. Q., me detyrë mjeke. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Tentoi të fuste lëndë narkotike në ambientet e IEVP Durrës, arrestohet në flagrancë nga Policia. Sekuestrohen 4 doza me lëndë narkotike. Më datë 17.02.2021 është paraqitur në ambientet e IEVP Durrës, shtetasi K. R., për të futur disa produkte ushqimore për djalin e tij, i cili ndodhet në paraburgim në ambientet e IEVP Durrës. Gjatë kontrollit në pakon me produkte ushqimore janë gjetur dhe sekuestruar 2 doza me lëndë narkotike heroinë dhe 2 doza me lëndë narkotike canabis sativa, të cilat ishin vendosur nga shtetasi M. N., (i njohur i tyre), pa dijeninë e shtetasit K. R. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin M. N., 67 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Krujë/Informacion paraprak – Më datë 17.02.2021, në orën 19:40, disa shtetas ende të paidentifikuar, (dyshohet të armatosur), në ambientet e një lokali kanë goditur me sende të forta shtetasin E. E., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë, duke i shkaktuar lëndime në kokë, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe po punohet për kapjen e autorëve.

Berat – Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim A. L., 27 vjeç, banues në Skrapar, të cilit Gjykata e Apelit Vlorë i ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”. Gjithashtu, nga Sektori i Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. N., 65 vjeç, banues në Berat, pasi në vendin e quajtur Ura e Hanit, Berat, u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Devoll – Organizoi aktivitet politik në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, ndëshkohet me masë administrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik. Njëkohësisht, ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i lokalit që lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, pas konstatimit se në fshatin Menkulas, Devoll, në ambientet e një lokali, përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. S., kishte organizuar një takim me grumbullime personash, në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, në zbatim të këtij akti, e kanë ndëshkuar shtetasin e mësipërm me masën administrative 5.000.000 lekë. Gjithashtu është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i lokalit, shtetasi S. Gj., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit të tij, duke shkelur Aktin Normativ. Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.

Fier – Vijon puna hetimore e strukturave të Drejtorisë Vendore te Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, për zbardhjen e vjedhjes me armë të mbetur në tentativë, mbrëmjen e datës 10.02.2021, në Roskovec. Si rezultat i punës intensive profesionale operative dhe hetimeve të pandërprera është dokumentuar me prova shkencore autorësia e një prej personave të përfshirë në ngjarjen e ndodhur në datë 10.02.2021, në Roskovec, ku katër persona të maskuar dhe me armë zjarri tentuan të vidhnin banesën e shtetasit A. Ç., 57 vjeç dhe për pasojë mbeti i plagosur në këmbë kushëriri i 57-vjeçarit, shtetasi A. Ç, 47 vjeç. Si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje është kapur dhe vënë në pranga, për veprat penale “Vjedhja me armë” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”, shtetasi A. Gj., 30 vjeç, banues në Mirditë (i proceduar penalisht më parë për “Shkatërrim prone”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja” dhe “Armëmbajtje pa leje”, si edhe i dënuar më parë në Angli, për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”). Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 62 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 21 janë arrestuar dhe 39 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 10 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Fier dhe 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me paramendim”, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje: 3 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste: 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Vlorë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 rast të “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shpifja”, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Braktisja e fëmijëve të mitur”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 4 të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.