Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Free road”. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë. Sekuestrohen mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara, një autobuz dhe tre automjete. Vihen në pranga 6 shtetas që bashkëpunonin për transportimin dhe tregtimin e këtyre mallrave. Procedohen penalisht 2 doganierë të pikës doganore Morinë, Kukës, për shpërdorim detyre. Shpallet në kërkim administratori i një subjekti postar. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Free road”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. C., 40 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një linje transporti; A. M., 52 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar; D. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar; Sh. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar; Z. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, faturino në një linjë transporti dhe E. L., 22 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i një poste private. Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht në gjendje të lirë, shtetasit Xh. Sh. dhe S. M., punonjës të pikës doganore Morinë, Kukës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi S. B., administrator i një subjekti privat. Në rrugën “Jordan Misja”, në një parking, shërbimet e Policisë kanë konstatuar autobusin e linjës Prishtinë-Tiranë dhe shtetasit A. M., D. Z. dhe Sh. M., të cilët do të merrnin mallrat, të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, nga dogana e Morinës. Gjatë kontrollit të autobusit, në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të tjera, pa pullë fiskale. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave që i kanë porositur. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mallra të ndryshme të dyshuara të futura kontrabandë (veshje, medikamente mjekësore), autobusi dhe tre automjete. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Tiranë – Finalizohen me sukses, brenda 12 orëve, nga strukturat e DVP Tiranë, 2 operacione policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Kontaktuesit”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2. Vihen në pranga 3 shtetas, sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike e ndarë në doza gati për shitje. Operacioni policor i koduar “Sharra”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Vihet në pranga 1 shtetas, sekuestrohen lëndë narkotike e llojit kokainë e ndarë në doza, gati për shitje, dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Komisariati i Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, kanë finalizuar dy operacione policore, në kuadër të të cilëve janë arrestuar 4 shtetas. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontaktuesit”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i shtetasve H. D., 17 vjeç, R. B., 16 vjeç dhe M. U., 17 vjeç. Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa. Këta shtetas, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në zonën e quajtur “Ish-parku” dhe në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sharra”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Shtetasi R. L. kishte kultivuar bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, në fshatin Sharrë, në vendin e quajtur “Përroi i Lamucve”. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, së bashku me bimët narkotike. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi R. L., pasi kultivonte bimë narkotike, e përgatiste lëndën narkotike cannabis sativa në doza, gjithashtu siguronte lëndë narkotike kokainë, të cilën e ndante në doza, dhe i shiste më pas, në zona të ndryshme të Tiranës. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Kurbin – Vijojnë kontrollet për kapjen e personave që qarkullojnë më armë zjarri me vete apo i mbajnë ato pa leje, në banesë. Falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, Policia vë në pranga një 17-vjeçar, që mbante armë zjarri automatik dhe municion luftarak, në banesë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra nga qytetarët se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. N., 17 vjeç, banues në Mamurras. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në dhomën e gjumit, në banesën ku jetonte ky shtetas, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Mallakastër- Fnalizohet me sukses, pas një hetimi njëmujor, operacioni policor i koduar “Ngraçan”. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Mallakastër. Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike. Vihet në pranga 1 shtetas. Gjenden dhe sekuestrohen 50 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, efektivët e Komisariatit të Policisë Mallakastër kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit. Si rezultat i një hetimi njëmujor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, është finalizuar operacioni policor i koduar “Ngraçan”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi F. H., 64 vjeç, banues në fshatin Belishovë, Mallakastër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Gjatë këtij operacioni, në një sipërfaqe toke të pyllëzuar, në fshatin Ngraçan, u gjetën të kultivuara 50 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Nga hetimet dyshohet se autor i kultivimit të tyre është shtetasi F. H. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Marjani”. Operacioni, pas hetimeve intensive nga Sektori për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë. Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç. Vihen në pranga 3 autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit. Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç., 26 vjeç, banues në këtë fshat, i cili rezultonte i larguar nga banesa, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Marjani”. Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i tre autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve: B. A., 38 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi, Pogradec (i dënuar më parë për vjedhje); V. M., 43 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë dhe E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë. Shërbimet e Policisë, pasi kanë nxjerrë nga rezervuari trupin e pajetë të 26-vjeçarit M. Ç., kanë krijuar dyshime se bëhej fjalë për një ngjarje kriminale, duke qenë se gjatë këqyrjes, në trupin e 26-vjeçarit, janë konstatuar shenja në pjesën e fytit. Falë punës profesionale hetimore, provave dhe informacioneve të grumbulluara nga grupi hetimor, u dokumentua se tre shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2022, kanë marrë viktimën M. Ç., në fshatin Kolanec, dhe pasi e kanë vrarë (mbytur), për motive të dobëta, kanë hedhur trupin e tij në rezervuar, për të mbuluar ngjarjen dhe për të inskenuar një vetëvrasje të 26-vjeçarit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
DVP Vlorë/Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim, procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit L. T., banues në Vlorë, pasi më datë 18.11.2021, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 28 ditë burgim për kryerjen e veprës penale “Drejtimi automjetit në mënyrë të parregullt”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat bregdetare, proceduan penalisht për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” shtetasin K. B., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi është konstatuar duke ndërtuar një beach bar, në vendin e quajtur Livadh, Himarë pa lejen e organeve konpetente. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
DVP Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin E. D., 39 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në prezencë të fëmijëve të mitur, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Po nga këto struktura u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, shtetasi B. K., 41 vjeç, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke ndërtuar pa leje, një objekt për biznes, në fshatin Zhamë Sektor. Në datë 17.06.2022, në lagjen “Kadri Qystri”, Lushnjë, në banesën e shtetasit L. M., 72 vjeç, ka rënë zjarr. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shkaku i zjarrit ka qënë një shkëndijë elektrike. Në datë 17.06.2022, në Komisariatin e Policisë Fier, ka bërë kallëzim shtetasi A. T., 62 vjeç, banues në Fier, se vajza e tij, shtetasja P. T., 26 vjeçe, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor, është larguar nga banesa në datë 15.06.2022 dhe nuk është kthyer më. Po punohet për gjetjen e 26-vjeçares. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Vihen në pranga 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E. P., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi E. P. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës; S. T., 19 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të tij, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasit N. S., 59 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur; R. A., 47 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje. Shtetasi R. A., gjatë një konlfikti për motive të dobëta, ka shtyrë nga parvazi i katit të dytë, fqinjin e tij, shtetasin M. A., 32 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Specialistët e Qarkullimit Rrugor ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim N. M., pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 20 ditë burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Gjithashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit: E. D., 36 vjeç, R. M., 20 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar motomjetet, pa leje drejtimi dhe M. K., 30 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur. Më datë 17.06.2022, shtetasi Xh. B., 34 vjeç, ka kallëzuar se është larguar nga banesa, së bashku me vajzën e saj të mitur, motra e tij, shtetasja E. B., 37 vjeçe, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e tyre. Gjithashtu, shtetasi A. M., 64 vjeç, ka kallëzuar se është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më, vajza e tij, shtetasja S. M., 22 vjeçe, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Skrapar – Goditën me grushte, për shkak të detyrës, kryetarin e degës së postës Skrapar, arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T.H. (K.), 34 vjeç, si dhe u referuan materialet hetimore në Prokurori dhe po procedohen në gjendje të lirë shtetasit B. T., 31 vjeç dhe M. K., 28 vjeç, të tre banues në Çorovodë. Këta shtetas, në qendër të qytetit të Çorovodës, kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, kryetarin e degës së postës Skrapar, shtetasin K. K., 33 vjeç, banues në Çorovodë, duke i shkaktuar demtime në trup. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.
Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Game over”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e lojërave të fatit. Evidentohet një lokal i përshtatur për organizimin e lotarive të palejuara, me pajisje kompjuterike që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Sekuestrohen 8 kompjutera, tavolina pokeri dhe çipsa. Shpallen në kërkim 2 poseduesit e lokalit. Në zbatim të Letër Porosisë së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të Planit të Masave të miratuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, me objekt pune “Kontrollin e territorit, parandalimin, identifikimin, dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojëra të fatit”, me qëllim evidentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme, që në disa raste ka sjellë edhe konflikte mes qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme dhe si rezultat kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Game over”. Gjatë këtij operacioni, në qytet Lezhë, në lagjen “Besëlidhja”, është ushtruar kontroll në ambientet e një lokali që ishte përshtatur për organizimin e lojërave të fatit, me pajisje kompjuterike që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në ambientet e këtij lokali janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e proves materiale 8 kompjutera për lojëra fati të ndezur në gjëndje pune, 3 tavolina pokeri dhe çipsa. Në vijim të veprimeve hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit R. D., 29 vjeç dhe A. N., 33 vjeç, banues në Lezhë, të cilët dyshohen se kanë përshtatur lokalin që posedonin, për organizimin e lotarive të palejuara. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Kapshticë – Policia Kufitare ndalon 1 shtetas në kërkim, të dënuar me 1 vit burg. Goditen edhe 2 raste të tjera të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, procedohen penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim B. K., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 09.10.2019, e ka dënuar me 1 vit burg, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”. Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryen nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës. Gjithashtu, po nga këto shërbime, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë procedurës së skanimit të dy mjeteve, kamionit tip “Scania” me drejtues shtetasin Sh. L., 43 vjeç, banues në fshatin Gjorm, Laç dhe kamionit tip “Man”, me drejtues shtetasin M. K., 58 vjeç, banues në Elbasan, u gjetën të fshehur 5 emigrantë të paligjshëm, të cilët synonin të kalonin drejt vendeve të BE-së. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, të cilët referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për dy shtetasit e lartpërmendur, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
DVP Korçë – Procedohen penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin F. M., 19 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave” pasi ky shtetas, në lagjen nr. 16, Korçë, në lokalin e shtetasit P. T., ka paguar me dy kartëmonedha të prerjes 50 euro, të dyshuara si të falsifikuara, të cilat u sekuestuan në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen D. L., 50 vjeçe, banuese në fshatin Gështenjas, Pogradec, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi në këtë fshat, kjo shtetase për motive të dobëta, ka goditur me grushte dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, shtetasen E. Y., 36 vjeçe, banuese në Gështenjas. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin D. A., 31 vjeç, banues në Ersekë, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, pasi në unazën e qytetit të Ersekës, ky shtetas u kap duke transportuar me mjtin furgon tip “Benz”, një sasi dru zjarri pa dokumentacionin përkatës. Më datë 17.06.2022, në Spitalin Rajonal Korçë, janë paraqitur shtetasja F. V., 65 vjeçe, banuese në fshatin Libonik, Maliq dhe një 16-vjeçare, banuese në fshatin Zvezdë, Maliq, të cilat në banesat respektive të tyre, në gjendje të rënduar psikologjike, kishin konsumuar medikamente mjekësore mbi masën e duhur. Aktualisht këto dy shtetase po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore, ku shtetasja F. V., ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 16-vjeçarja jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.
DVP Elbasan – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh kapën dhe ndaluan shtetasin E. B., 31 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Vjedhja”, pasi dyshohet se ka vjedhur disa artikuj në magazinën në pronësi të shtetasit A. Zh. Nga veprimet hetimore dyshohet që 31-vjeçari të jetë autor edhe i vjedhjes së disa materialeve në magazinën në pronësi të shtetasit A. Xh., 42 vjeç. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori, për shtetasin F. K., 68 vjeç, banues në Belsh, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, pasi dyshohet se i ka pushtuar një sipërfaqe toke, shtetasit S. XH., 61 vjeç, në fshatin Çepë. Në Komisariatin e Policisë Librazhd është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi E. Z., 30 vjeç, banues në Librazhd, i cili ka deklaruar se i është larguar nga banesa motra e tij, shtetasja M. Z., 31 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 22 janë arrestuar në flagrancë, 56 po procedohen në gjendje të lirë dhë 3 janë shpallur në kërkim.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste: 1 rast i “Vrasja me paramendim”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 rast i “Vrasja”, mbetur në tentativë, me 1 autor të shpallur në kërkim; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar; 2 raste të “Kanosja”, 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, me autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 rast me 1 autor të ndaluar, 2 raste me nag 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për “Shkatërrim prone”.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 1 autor të proceduar në gjëndje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, me 1 autor të arrestuar, dhe 2 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve mjedisore, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë shpallurnnë ëkrkim 2 shtetas, për veprën penale ‘Mashtrimi”.
Është evidentuar 1 rast i kontrabandës me mallra, për të cilin janë arrestuar në flagrancë 6 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas. Gjithashtu, në lidhje me ketë rast janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, për shpërdorim detyre.
Janë evdientaur 4 raste të veprës penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, me 4 autorë të dyshuar, që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 rast i “Falsifikimi i monedhave”, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 aksidente, me 3 viktima dhe 7 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 8 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 7 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.