Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për krimet kundër narkotikëve dhe transportonte 20 emigrantë, me një automjet furgon, kapet dhe vihet në pranga nga Policia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta”. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, kundrejt shpërblimit monetar, nga Tirana në drejtim të Kukësit, me mjete të marra me qira, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Krujë, finalizuan operacionin policor të koduar “Krasta”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 18 vjeç, i cili ishte me masë sigurimi personal “Arrest në shtëpi”, e caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”. Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi I. Ç., 27 vjeç, i dënuar më parë për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i monedhave”. Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën Tiranë-Rinas, duke transportuar me një mjet furgon, 20 emigrantë të paligjshëm, me destinacion qytetin e Kukësit. Nga ana e shërbimeve të Policisë është bërë ndjekja e mjetit tip furgon dhe më pas ndalimi i tij në zonën e liqenit të Krastës në qytetin e Krujës. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Fier – Iu gjet në banesë një sasi e madhe me municion luftarak, vihet në pranga poseduesi. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier pas informacioneve të marra në rrugë policore se një shtetas në lagjen “Fermë Çlirim” posedonte municion luftarak, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit A. V., dhe gjatë kontrollit shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 5420 fishekë të ndara në 8 arka si edhe 1 kapele si ajo e Policisë së Shtetit. Në vijim të veprimeve procedurale u bë ndalimi i shtetasit A. V., 58 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”. Në vijim të punës dhe kontrolleve për ndëshkimin e atyre personave që tentojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, në lagjen “Liri”, Fier, në lokalin e shtetasit B. A., shtetasi K. H., i cili punonte si kamarier, u kap në flagrancë me një telefon celular duke ushtruar aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit dhe basteve sportive. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier proceduan penalisht shtetasin K. H., 50 vjeç, banues në Fier, dhe shpallën në kërkim e po punohet për kapjen e shtetasit B. A., 44 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizmi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier ndaluan për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur” shtetasin H. D., 32 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se para 4 vitesh ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase, e cila në atë kohë ishte 13 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 58 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 9 janë arrestuar në flagrancë dhe 47 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, mbetur në tentativë, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 3 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Ndotja e ajrit”.
Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë.
Në Berat janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 tjetër, për “Pushtim toke”.
Në Vlorë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe 1 për “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”.
Në Kukës janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe 1 për “Vetëgjyqësia”.
Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe është ndaluar 1 tjetër, për “Marrëdhënie seksuale me të mitur”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 2 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.