Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Shkodër – Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Operacioni policor “Golemi”, zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Në pranga dy shtetas, të cilët transportonin 4 shtetas nga vendet e Lindjes së Mesme. Në kuadër të masave të marra për parandalimin e kontrabandimit të klandestinëve nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët hyjnë ilegalisht nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Greqia për në Shqipëri me destinacion vendet e BE-së, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informaconeve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirorganizuar, finalizuan operacionin policor të koduar “Golemi”. Si rezultat i operacionit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: G. N., 41 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, Malësi e Madhe dhe V. Y., 53 vjeçe, banuese në Shkodër. Në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në fshatin Golem, këta shtetas u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjetin që drejtohej nga shtetasja V. Y., 4 shtetas me shtetësi dhe kombësi marokene, të cilët kishin destinacion Malin e Zi, e më pas vendet e BE-së (Italinë). Nga veprimet e para hetimore rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin shtetas të vendeve të treta, i strehonin në banesa të ndryshme e më pas i transportonin për në Mal të Zi, kundrejt pagesës. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale ‘’Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit’’ në bashkëpunim.
Port, Durrës – Goditet një tjetër tentativë për kalimin e kufirit me dokumente të falsifikuara.
Policia Kufitare ka arrestuar 1 shtetas turk, i cili ka tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në zbatim të masave për forcimin e kontrollit gjatë përpunimit të doumentacionit, shërbimet e Policisë Kufitare në Port, Durrës kanë ndaluar një shtetas turk, i cili ka tentuar të kalojë kufirin në drejtim të Italisë, me dokumente të falsifikuara. Në lidhje me këtë rast janë njoftuar Specialistët kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në D.V.P Durrës, të cilët kanë kapur në flagrancë shtetasin R. B., 25 vjeç, banues në Turqi. Materialet I kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
Berat – Vijon puna për goditjen e paligjshmërive. Arrestohet një shtetas për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Prerja e paligjëshme e pyjeve”, si dhe procedohen dy shtetas të tjerë për veprën penale “Prerja e paligjëshme e pyjeve, në bashkëpunim”. Nga Specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D.D, 34 vjeç, banues në Berat, me detyrë Inspektor i Policisë Pyjore. Arrestimi i tij u bë për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit Sh.M, 45 vjeç dhe A.K, 30 vjeç, banues në Berat, pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë në vendin e quajtur ” Qafa e Shkozës”, duke transportuar me mjetin tip furgon 3.5 m3 lëndë drusore, të prera në mënyrë të paligjshme. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor “Liqeni”. Operacioni nga Forca e Posaçme “Shigjetat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Në pranga një shtetas që qarkullonte me armë zjarri. Sekuestrohen armë zjarri, fishekë luftarakë, armë të ftohta, kokainë e kanabis, një sasi e madhe parash, bllokues valësh të celularëve, karta bankare e sende të tjera. Në kuadër të zbatimit të detyrave të përcaktuara në planin e masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, Forca e Posaçme “Shigjetat” ka konstatuar një automjet, që kur ka parë mjetin e Policisë ka kryer lëvizje të dyshimta. Shërbimet e Policisë “Shigjetat” janë vënë në ndjekje të automjetit dhe në zonën e Liqenit të Thatë kanë bërë të mundur ndalimin e mjetit, si dhe bllokimin e drejtuesit të tij. Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruannë automjetin që drejtohej nga shtetasi B. H., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri tip pistoletë e markës Glock, me 16 fishekë; një sasi prej 1.8 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë; 4.4 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, në formë cigareje; 3 thika, 2 me hapje dhe 1 në formë stilolapsi; 4 celularë dhe një bllokues valësh celulari; një sasi prej 2 765 000 lekësh të reja; disa çelësa automjetesh dhe karta banke. Në përfundim të veprimeve të para, nga specialistët për hetimin e narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 38 vjeç, banues në Tiranë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vlorë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Vjeshta”. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni nga DVP Vlorë dhe FNSH Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës. Ndalohen 7 persona e shpallen në kërkim 3 të tjerë. Në përmbushje të një prej prioriteteve kryesore të punës, atë të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me FNSH Fier kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Vjeshta”. Ky operacion është realizuar në kuadër të hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, të cilat kanë zgjatur për një periudhë 6-mujore. Operacioni është përqëndruar në dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal kryesisht kundër ”Kultivimit të bimëve narkotike”, por edhe veprave të tjera penale si ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, ”Shpërdorimi i detyrës”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe ”Moskallëzimi i krimit”. Gjatë këtij hetimi është dokumentuar në mënyre të plotë e të gjithanshme ky aktivitet kriminal për një nga zonat me risk të lartë për kultivimin e bimëve narkotike, siç janë Njësitë Administrative të Bashkisë Selenicë. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë ekzekutuar urdhrat e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për arrestimin e shtetasve: Ç. V, 33 vjeç, banues në fshatin Lapardha, Bashkia Selenicë; E. L, 28 vjeç, banues në fshatin Kotë, Bashkia Selenicë; D. N, 22 vjeç, banues në fshatin Mazhar, Bashkia Selenicë; A. (Sh) V., 37 vjeç, banues në Vlorë; A. V., 27 vjeç, banues në Vlorë; M. V., 22 vjeç, banues në Vlorë dhe R. L., 29 vjeç, banues në fshatin Lapardha, Bashkia Selenicë. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e 3 shtetasve të tjerë dhe vijon puna për kapjen e tyre. Në vazhdimësi të këtij hetimi, janë evidentuar 24 raste të kultivimit të bimëve narkotike në 5 Njësitë Administrative (Armen, Sevaster, Brataj, Kotë dhe Vllahinë), ku më parë janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 16 persona (8 të arrestuar, 4 në kërkim, 4 në gjendje të lirë). Janë sekuestruar 3 armë zjarri (2 kallashnikov dhe 1 pistoletë), 1 226 000 lekë dhe 4 850 €uro, 3 automjete dhe 19 aparate celulare, si dhe janë asgjësuar bimë dhe fidanë kanabis sativa. Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, si dhe po punohet për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Policia e Vlorës falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe mbështetjen e deritanishme, duke i siguruar se është tërësisht e angazhuar në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurt. Në këtë kuadër fton cilindo që të denoncojë cdo rast të paligjshmërisë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital duke ju garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm.
Shkodër – Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Pult”. Sekuestrohen 51 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa dhe një sasi fishekësh luftarakë. Shpallen në kërkim dy persona, të cilët për shkak të terrenit të vështirë malor mundën të largohen. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikët në DVP Shkodër, në bashkëpunim me FNSH Shkodër, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Pult”, si rezultat i të cilit, gjatë kontrolleve të ushtruara në ndërtesat e pa banuara në fshatin Plan, janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 51 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 100 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe një telefon celular. Si rezultat i operacionit dhe veprimeve hetimore është bërë identifikimi dhe shpallja në kërkim e dy shtetasve K. L. 27 vjeç dhe M. L. 24 vjeç, të dy banues në fshatin Plan, Shkodër. Për shkak të terrenit të vështirë malor, në momentin që kanë kuptuar që po ndiqen nga Policia, këta dy shtetas kanë arritur të largohen, por po punohet intensivisht për kapjen dhe ndalimin e tyre. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”.
Durrës – Goditet një tjetër grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së pronës. Finalizohet operacioni “Prita”. Operiacioni për parandalimin e vjedhjeve të banesave dhe lokaleve, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë. Arrestohen në flagrancë në tenativë për të vjedhur një dyqan 2 shtetas, 1 shpallet në kërkim, ndërsa 1 procedohet në gjendje të lirë. Zbardhen dhe një sërë vjedhjesh të ndodhura më parë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Rendit kanë arrestuar në flagrancë shtetasit E. Xh., 16 vjeç, banues në Durrës dhe J. P., 18 vjeç, banues në Shën Vlash, Durrës. Gjithashtu, procedohet në gjendje të lirë shtetasi J. T., 17 vjeç dhe është shpallur në kërkim shtetasi A.A., 17 vjeç, të dy banues banues në Durrës. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjerin, në datë 16.10.2019, në orën 22:45 janë kapur në flagrancë duke vjedhur dyqanin bulmetore që ndodhet në lagjen nr. 12, në rrugën “Mujo Ulqinaku”. Gjithashtu, nga veprimet hetimore rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë realizuar edhe disa vjedhje të tjera në qytetin e Durrësit, si më poshtë: Më datë 29.09.2019, në lagjen nr.18, dyshohet se kanë vjedhur 15 000 lekë, në një “Bar Kafe”; Më datë 09.10.2019, në lagjen nr. 4, Durrës, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin një kioskë; Më datë 10.10.2019, në lagjen nr. 18, Durrës, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje një lokal, ku kanë marë shumën 80 000 lekë, një telefon Samsung dhe 3 unaza. Më datë 13.10.2019, në lagjen nr.18/1, Durrës, dyshohet se kanë kryer vjedhjen me thyerje të një kioske, ku kanë marë paketa cigareje të llojeve të ndryshme, me vlerë 20 000 lekë. Më date 13.10.2019, në fshatin Romanat, Durrës, dyshohet se kanë vjedhur në një dyqan artikuj ushqimorë, me vlerën 10 000 lekë. Më datë 15.10.2019, në lagjen nr. 17, Durrës, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje dyqanin me artikuj ushqimorë, ku kanë marrë 8 steka cigareje dhe 3 400 lekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 000 lekë të reja dhe një kapuç i zi. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.
Shkodër – Operacion policor i koduar “Fermentimi”, kundër informalitetit për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të prodhimit të produkteve ushqimore. Shpallet në kërkim pronari i objektit ku prodhoheshin produktet ushqimore. Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në D. V. P. Shkodër, në bashkëpunim me strukturat qendrore të AKU-së dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, si dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër Nr. 708, datë 15.10.2019, u zbulua aktiviteti i kundërligjshëm për prodhimin e produkteve ushqimore dhe në përfundim të kontrollit u bë shpallja në kërkim e shtetasit G. B., 61 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhia”, pronar i firmës. Në lagjen “Skënderbeg”, në zonën industriale ish-fermentimi, në punishten e firmës së këtij shtetasi është konstatuar se prodhoheshin përsëri produkte të ndryshme ushqimore në kundërshtim me ligjin, edhe pse e kishte të ndaluar që nga data 28.03.2018 prodhimin e artikujve ushqimorë. Në kuadër të këtij operacioni u bë sekuestrimi i të gjitha produkteve, në cilësinë e provës materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 9 janë ndalur dhe 50 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndalur 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe Berat; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, konkretisht: 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Shkodër, ku autori është ndaluar dhe janë plotësuar 12 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Lezhë, po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 5 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 4 në Korçë, 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.