Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Policia e Shtetit – Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë, në bashkëpunim me homologët, i koordinuar nga Europol, Eurojust dhe Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor. Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “LOS BLANCOS”, i shtrirë në disa shtete, si Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta. Në Shqipëri operacioni është zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës e Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, të Njësisë së Kërkimit “Fast” dhe të Zyrës së Interforcës në Shqipëri. Si rezultat i operacionit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës, janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, 5 të kërkuar, konkretisht: Në Tiranë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi G. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Në Vlorë janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasit E. J., 27 vjeç dhe J. Ll., 31 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Në Durrës është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, shtetasi R. I., 33 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, i caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”. Në Lezhë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi V. L., 40 vjeç, pasi Gjykata e Firences Itali, e ka dënuar me 24 vite burg, për veprën penale “Shkelje e ligjit mbi drogat“. Gjatë operacionit, Skuadra Mobile e Firences dhe Shërbimi Central Operativ i Policisë, në bashkëpunim me skuadrat e tjera kompetente lëvizëse, organet e policisë të shteteve të Bashkimit Evropian në fjalë dhe Policinë e Shtetit shqiptar, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 30 shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Nga hetimet ka rezultuar se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani të quajtur “KOMPANIA BELLO”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën. Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia. Edhe gjatë këtij operacioni mjaft të rëndësishëm, Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm në përmbushjen e detyrave gjatë gjithë fazave të operacionit, çka tregon edhe njëherë vendosmërinë dhe seriozitetin e Policisë së Shtetit për të luftuar bashkërisht me homologët, krimin e organizuar dhe terrorizmin.
Policia e Shtetit – Në vijim të informacionit të dhënë për operacionin mjaft të suksesshëm ndërkombëtar të koduar “LOS BLANCOS”, zhvilluar me homologët ndërkombëtar, si rezultat i të cilit, në Shqipëri, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit u kapën dhe u arrestuan 5 persona, bëjmë me dije se janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” edhe për disa shtetas të tjerë, pjesëmarrës të organizatës kriminale, të cilët janë rezidentë jashtë shtetit. Si rezultat i koordinimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe policive të përfshira në operacion u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Denis Matoshi alias Elti Dizdari, 31 vjeç, person me rekorde kriminale të theksuara në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe krimeve ndaj personit. Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me autoritetet policore italiane, rumune, holandeze, spanjolle dhe hungareze, në kuadër të operacionit “LOS BLANCOS”, u bë u kapja dhe ekzekutimi i masave të sigurisë për shtetasit: Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani; Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Holandë; Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë dhe Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari. Gjithashtu iu komunikua masa e sigurisë “Arrest në burg” shtetasit Altin Velsula (Hoxha), 36 vjeç, i cili ndodhet në burg në Norvegji. Policia e Shtetit ka një bashkëpunim solid me partnerët dhe është e angazhuar maksimalisht dhe me profesionalizëm në finalizimin e shumë operacioneve të rëndësishme në kuadër të goditjes së krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme që do bëhen prezent në kohën e duhur.
Tiranë/Informacion paraprak/Më datë 17.09.2020, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë dhe punohet për kapjen e shtetasin R.A., 45 vjeç, sepse më datë 16.09.202, rreth orës 19:00, në Kavajë, duke u futur në lokalin e shtetasit M.A., 30 vjeç, ky shtetas dyshohet se ka goditur me thikë, shtetasin B.Ç., 59 vjeç, dhe në momentin që pronari i lokalit ka ndërhyrë për ti ndarë ky shtetas e ka goditur me thikë dhe pronarin e lokalit shtetasin M.A., të cilët ndodhen në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 43 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, 3 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Lezhë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korcë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Elbasan, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë dhe 2 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Vlorë, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, Janë plotësuar 16 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 2 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2raste të prerjes së paligjshme të pyjeve, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korcë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 4 në Elbasan, 4 në Lezhë dhe 2 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.