Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 17 shkurt 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë  – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. M., 22 vjeç, pasi në biznesin ku ishte i punësuar ka vjedhur disa produkte, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve R. G., 39 vjeç dhe A. L., 41 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Më datë 16.02.2021, shtetasi I. H., 42 vjeç, ka kallëzuar se në fshatin Laknas, Domje, është kanosur nga një shtetas i panjohur. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Gjatë natës, në rrugën “Myslim Keta”, dy persona të paidentifikuar kanë vjedhur një shumë parash në banesën e shtetases N. Ç., 80 vjeçe. Punohet për identifikimin e kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Berat – Finalizohet operacioni policor i koduar “Bilça”. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në  bashkëpunim me shërbimet policore në DVP Berat. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve.  Sekuestrohen 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Vihet në pranga poseduesi. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bilça”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. M., 34 vjeç, banues në Bilç, Berat. Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet se shtetasi S. M. dispononte lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, një sasi lekësh dhe dy aparate cellular. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Pogradec – Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. T., 59 vjeç, banues në Pogradec (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër shëndetit dhe krimeve kundër autoritetit shtetëror). Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në lokalin e tij, në lagjen nr. 2, Pogradec, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa aparate elektronike që dyshohet se shërbenin për lojërat e palejuara të fatit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës ndaluan shtetasin A. Sh., 46 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në pikën e karburantit të tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 746 litra naftë, e dyshuar kontrabandë, e cila tregtohej në mënyrë të kundërligjshme. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 39 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, arrestuan në flagrancë shtetasit A. H., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Renault”, në gjendje të dehur në masën 1.09 mg/l; F. H., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Kukës – U denoncua në faqen zyrtare të DVP Kukës, për përndjekje, Policia pas hetimeve të kryera vuri në pranga 22-vjeçarin. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës, pas njoftimit të marrë në faqen e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, nga një shtetase e mitur që denonconte një 22-vjeçar për përndjekje, vlerësuan informacionin dhe filluan menjëherë hetimet. Si rezultat i hetimeve të kryera u arrestua në flagrancë shtetasi A. K, 22 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Përndjekja”, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një 16-vjeçare, duke e ofenduar dhe shantazuar në rrugë dhe në rrjetet sociale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital, në numrin pa pagesë 112 ose në faqen zyrtare të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Tiranë  – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, një person i shpallur në kërkim, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 4, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë lokalizuar dhe kapur shtetasin Roni Plaku, 36 vjeç, banues në Peqin. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë e ka dënuar me 2 vjet burg, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 55 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar,13 janë arrestuar dhe 37 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 2 në Elbasan; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste: 1 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 9 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara”, në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, 1 në Vlorë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Veprime të turpshme”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Dibër.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.