Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
DVP Gjirokastër-Arrestohet përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar O. L., 28 vjeç, banues në Memaliaj.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Torinos, Itali, me vendimin e datës 17.11.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal i Italisë.Ky shtetas dyshohet se nga viti 2017 deri në vitin 2019, duke qenë pjesë e një organizate kriminale me qëllim trafikimin e narkotikëve (Hollandë, Gjermani, Spanjë dhe Itali) ka trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine dhe marijuane që vinte në portet e ndryshme të Evropës.Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.
Korçë-Vijon operacioni policor antidrogë i koduar “Restart 12”, i zhvilluar tetë ditë më parë.Vihet në pranga 1 tjetër shtetas, i përfshirë në tentativën për trafikim drejt Greqisë, të 9.2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.Shkon në 28 numri i të ndaluarve gjatë dymbëdhjetë fazave të operacionit “Restart”.Në vijim të punës për dokumentimin e plotë me prova ligjore dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, në kuadër të operacionit “Restart 12”, të zhvilluar më datë 09.11.2022, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:- E. B., 20 vjeç, banues në fshatin Voskop, Korçë.Nga veprimet intensive hetimore të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, rezulton se ky shtetas, ka kryer ambalazhimin dhe fshehjen e 16 pakove me peshë 9.2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në dy gomat rezervë të automjetit tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. Ç., i cili u ndalua në Pikën Kufitare të Kapshticës.Nga ana e Policisë po vijon puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Electronics”, nga Komisariati i Policisë Vlorë.Shkon në 3 numri i të ndaluarve.Vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, bashkëpunëtorë me 36-vjeçarin e ndaluar dy ditë më parë.Zbardhen edhe 3 raste të tjera të vjedhjes, të kryera nga këta shtetas, në qytetin e Vlorës.Në vijim të operacionit policor të koduar “Electronics”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë organizuan dhe finalizuan fazën e dytë, si rezultat i së cilës u ndaluan shtetasit A. B., 17 vjeç dhe K. B., 15 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, si dhe u shpall në kërkim shtetasi M. M., 15 vjeç, për të njëjtën vepër penale.Këta shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar me shtetasin B. Ll. (i ndaluar dy ditë më parë), për vjedhjen në dyqanin e pajisjeve elektronike, në lagjen “Pavarësia 3”, si dhe kanë tentuar të vjedhin në dyqanin tjetër me pajisje elektronike, në lagjen “Lef Sallata”, Vlorë.Nga veprimet e mëtejshme hetimore është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i 3 rasteve të tjera të vjedhjes, të cilat dyshohet se këta shtetas i kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin, konkretisht:-Më datë 31.10.2022, kanë vjedhur një shumë parash, në banesën e një shtetasi, në lagjen “24 Maji”;-Më datë 20.08.2022, në lagjen “Isa Boletini”, kanë tentuar ti vjedhin një shumë parash, një shtetasi;-Më datë 18.10.2022, në lagjen “Rilindja”, Vlorë, kanë tentuar të vjedhin në banesën e një shtetaseje.Materialet i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Mat/Më datë 16.11.2022, në Komisariatin e Policisë Mat, ka bërë kallëzim shtetasi Sh. B., 66 vjeç, banues në fshatin German, Burrel, se i kishin vjedhur pa thyerje, në banesën e tij, shumën 170 000 lekë të rinj. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 9 janë arrestuar, 50 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 4 shtetas të ndaluar dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprave penale në fushën e armëmbajtjes pa leje, me 1 shtetas të arrestuar.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 6 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë 1 shtetas të ndaluar dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 8 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar dhe me 4 të tjerë të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë. Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 2 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Prishja e qetësisë publike”, “Fyerja”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, me nga 1 shtetas të arrestuar. Është evidentuar edhe 1 rast i veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë dhe 7 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufijve”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, si pasojë e të cilëve 11 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, 3 prej të cilëve me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar dhe me 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.