Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 nëntor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Poliçan – Organizonte lojëra fati nëpërmjet celularit, arrestohet në flagrancë pronari i lokalit. Sekuestrohen një sasi lekësh dhe një aparat celular. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. L., 46 vjeç, banues në Poliçan, pasi është kapur në ambientet e lokalit të tij duke ushtruar aktivitetin e lojërave të fatit online, nëpërmjet celularit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lekësh dhe një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të pa lejuara”.

Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Kapet dhe arrestohet një 36-vjeçar i shpallur në kërkim, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, u organizua një operacion si rezultat i të cilit, në lagjen nr. 6, në Kavajë, u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim ndërkombëtar Adrian Rrugeja (Driza), 36 vjeç, banues në Kavajë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Udines, Itali, e ka dënuar me 8 vjet e 5 muaj burg, për veprat penale “Trafik i lëndëve narkotike” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Tiranë – Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kanabis, heroinë dhe metadon. Nga Seksioni i Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, në rrugën “Jordan Misja”, Tiranë, u kap shtetasi në kërkim A. S., 26 vjeç, për të cilin Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila e ka dënuar me 1 muaj burgim për veprën penale “Largimi nga vendi i aksidentit”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit I. Gj.(D.), 34 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Përndjekja” dhe “Dhuna në familje”.  Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, në rrugën “Ali Baushi” u godit një tjetër rast, duke kapur dhe vënë në pranga shtetasin Xh. H., 34 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu gjetën dhe u sekuestruan 23 doza me lëndë narkotike kanabis, 19 tableta metadon, një sasi me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, një sasi lekësh dhe 1 aparat celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi E. T., 45 vjeç, pasi i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, të cilën ia ka blerë shtetasit Xh. H.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Durrës – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Kryqëzimi”. Sekuestrohen 1 armë zjarri automatik, 2 kallëp tritoli, 6 karikator dhe municion luftarak. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre, i cili do t’i shiste kundrejt fitimit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri me vete dhe rritjen e parametrave të sigurisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Kryqëzimi”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi T. C., 33 vjeç, banues në Durrës. Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë ndjekur shtetasin T. C., i cili po lëvizte nga Durrësi në drejtim të Tiranës dhe në aksin rrugor Durrës-Tiranë, tek kryqëzimi i Sukthit, kanë ndaluar mjetin tip “Benz” që drejtohej nga ky shtetas. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, 6 karikator, 2 kallëp tritoli dhe municion luftarak, të cilat ky shtetas kishte për qëllim t’i shiste, kundrejt fitimit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Armstrong”. Goditen dy raste të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, sekuestrohet lëndë narkotike kanabis. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas.  Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në zbatim të planit të masave dhe planit operacionit “Armstrong”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një mjet po transportonte lëndë narkotike në drejtim të Shkodrës, kanë organizuar punën dhe kanë lokalizuar mjetin me drejtues shtetasin J. Sh. dhe pasagjerë shtetasit B. S. dhe K. S. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë mjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur brenda një kove me djathë, një qese me lëndë narkotike, me peshë rreth 1 kg. Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas merrej me shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në qytetin e Shkodrës, specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër kanë ushtruar kontrolle në zona të ndryshme në qytet dhe si rezultat në sheshin “Demokracia” kanë konstatuar shtetasin G. S., i cili kur ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa në formë çokollate.  Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: J. Sh. 31 vjeç, banues në fshatin Vrak, Malësi e Madhe; B. S., 36 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, Shkodër; K. S., 50 vjeç, banues në fshatin Grude e Re , Shkodër dhe G. S., 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrim i produktit të veprës penale”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 68 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 49 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Elbasan; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Elbasan; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste: 1 në Tiranë, 2 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 10 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Korcë dhe 1 në Fier dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 2 në Vlorë dhe 1 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.