Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 16 prill 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë. Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 7 vite e 6 muaj burg, për veprat penale “Grup kriminal”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Plagosje”. Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e mara në rrugë policore, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit Saimir Mehmeti, 55 vjeç, banues në Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi autoritetet gjyqësore në Genova, Itali, me vendimin e datës 20.03.2021, e kanë dënuar me 7 vite e 6 muaj burg, për veprat penale “Grup kriminal”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Plagosje”. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, ka rekrutuar dhe dërguar ilegalisht në Itali femra shqiptare, të cilat nëpërmjet dhunës i ka shfrytëzuar për prostitucion. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Korçë – Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje. Posedonte armë zjarri në një ambient në pronësi të tij, vihet në pranga 41-vjeçari.  Sekuestrohet një armë zjarri automatik dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. N., 41 vjeç, banues në fshatin Turan, Korçë. Forcat e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient në pronësi të këtij shtetasi, në Turan, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip automatik dhe 6 fishekë, që i mbante pa lejen e organeve përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Përrenjas – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. U kap duke transportuar 10.5 kg lëndë narkotike kanabis, vihet në pranga 48-vjeçari. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Përrenjas, u arrestua në flagrancë shtetasi A. V., 48 vjeç, banues në fshatin Memelisht, Pogradec. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Opel”, që drejtohej nga shtetasi A. V., shërbimet e Policisë kanë gjetur 10.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provave materiale së bashku me mjetin dhe një aparat celular. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Tropojë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasit F. O., 24 vjeç, dhe E. B., 23 vjeç, banues në Tropojë. Arrestimi i tyre u bë pasi këta dy shtetas janë konfliktuar me persona të tjerë në një lokal në qytetin e Bajram Currit, duke dëmtuar një tavolinë dhe një kompjuter në ambientet e lokalit. Gjatë shoqërimit nga patrulla e Policisë, këta shtetas kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë dhe kanë dëmtuar automjetin e Policisë.      Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. O. i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një thikë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe ” Shkatërrimi i pronës”.

Kukës – Goditi me mjet prerës një shtetas, për motive të dobëta, shpallet në kërkim autori.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës shpallën në kërkim shtetasin F. C., 21 vjeç, banues në Kukës dhe po punohet për kapjen e tij. Ky shtetas, gjatë mbrëmjes së djeshme, në qytetin e Kukësit, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës, shtetasin A. D., 19 vjeç, banues në Kukës, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë.

Durrës – Ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasit R. S., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Dhuna në familje”; A. Ç., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Devoll – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll referuan materialet hetimore në Prokurori, për veprën penale “Dhunimi i varreve”, për shtetasen V. J., 47 vjeçe, banuese në fshatin Ponçarë, Devoll, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor, pasi dyshohet se kjo shtetase ka dëmtuar disa varreza të këtij fshati.

Tiranë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. V., 42 vjeç, pasi në rrugën e Kavajës, u kap nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor, duke drejtuar mjetin me leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. B., 35 vjeç, (i cili dyshohet se vuan nga çrregullime të shëndetit mendor) pasi në Ali Dem ka ngacmuar seksualisht një 46-vjeçare. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. M., 33 vjeç, pasi ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një shtetase 19-vjeçare, duke i shkaktuar gjendje ankthi dhe frike. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. C., 41 vjeç dhe E. F., 19 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; T. N., 64 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur është përfshirë në një aksident me mjetin me drejtues I. K. Si pasojë është dëmtuar shtetasi T. N., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. •Më datë 15.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Kavajë, dhe punohet për kapjen e shtetasit Sh. E., 45 vjeç, pasi në Kavajë, duke qenë punonjësi i një kompanie ka shpërdoruar detyrën, duke vjedhur një shumë parash. Punohet për kapjen dhe shoqërimin e tij. •Më datë 15.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve A. S., 23 vjeç, B. D., 33 vjeç dhe M. D., 29 vjeç, pasi kanë goditur me mjete rrethanore shtetasin A. S., 46 vjeç. Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë A. S., 49 vjeç( vëllai i shtetasit A. S., 46 vjeç), L. M., 24 vjeç, D. D., 26 vjeç dhe E. S., 29 vjeç, pasi janë konfliktuar me parë me 3 shtetasit të lartpërmendur të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 49 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 12 janë arrestuar në flagrancë dhe 35 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Elbasan dhe 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Kukës, ku po punohet për kapjen e autorit të shpallur në kërkim.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste: 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë, 2 në Berat dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi në kredi”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Kanosja e gjyqtarit”.

Është evidentuar 1 rast i “Trafikimi i mjeteve motorike”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.