Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Smart”, për goditjen e kontrabandës me medikamente mjekësore. Operacioni i zhvilluar nga strukturat e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës. Sekuestrohen një sasi e konsiderueshme medikamentesh të ndryshme mjekësore, Rapid Test Antigen dhe aparate celularë. Arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit ku u gjetën medikamentet, procedohet penalisht porositësi i tyre. Strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative se një shtetas po transportonte medikamente mjekësore dhe sende të tjera të paligjshme, pa dokumentacionin përkatës, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar të koduar “Smart”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. L., 31 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuar”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”. Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në lagjen nr.13, Durrës (jashtë rrethimit të Portit detar), automjetin me drejtues shtetasin M. L. Gjatë kontrollit në mjet janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme medikamentesh të ndryshme mjekësore, paketime me Rapid Test Antigen dhe 3 aparate celularë. Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës proceduan penalisht për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuar”, porositësin e medikamenteve, shtetasin A. B., 29 vjeç, banues në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 25 janë arrestuar në flagrancë dhe 65 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 3 raste të “Kanosja”, 2 në Durrës dhe 1 në Fier; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Fier dhe 1 në Dibër; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 4 në Durrës, 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku autorët janë shpallur në kërkim.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, 1 në Fier dhe Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 21 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 10 autorë janë arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 1 autor të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave”, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 1 tjetër, për “Kanosja për shkak të detyrës”.
Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier.
Në Vlorë janë ndaluar 3 shtetas, për shpërdorim detyre, dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për vjedhje me dhunë.
Në Dibër është proceduar penalisht 1 shtetas, për prerje të paligjshme të pyjeve.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe 1 tjetër për “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.