Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 Tetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Interpol Tirana – Ekstradohet nga Viena një shtetas i dënuar me burgim të përjetshëm. Nga specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Viena, Austri drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Viktor Pelivani, 43 vjeç, lindur në Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë në maj të vitit 2018 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, kryer në bashkëpunim. Më datë 07.08.1999, rreth orës 23:00 Viktor Pelivani në bashkëpunim me shtetasit F. K. dhe J. B. ka hyrë për të vjedhur lekë në shtëpinë e shtetasit B. D., duke vrarë këtë të fundit dhe bashkëshorten e tij N. D. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Viena u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit Viktor Pelivani.

Lezhë – Tenton të furnizojë mjetin me lekë të falsifikuara, arrestohet në flagrancë nga Policia. Gjatë kontrollit fizik i janë gjetur e sekuestruar edhe kartmonedha të tjera të falsifikuara, në total 33 mijë lekë (të reja). Specialistët për hetimin e krimit ekonomik – financiar në Drejtorinë e Policisë Lezhë, pas njoftimit të marrë se një shtetas, në një pikë karburanti, në Kallmet ka furnizuar mjetin duke paguar me një kartmonedhë 5 mijë lekë ( të reja) të dyshuara të falsifikuara, kanë organizuar punën duke arrestuar në flagrancë shtetasin H. T., 52 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik i janë gjetur e sekuestruar me cilësinë e proves materiale edhe 33 mijë lekë (të reja) të dyshuara të falsifikuara, të ndara në kartmonedha pesë mijëshe, dy mijëshe dhe një mijëshe. Materialet procedurale në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Falsifikim i monedhave “.

Përmet – Vijojnë kontrollet në ambiente të ndryshme, për të evidentuar dhe goditur ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Policia e Përmetit arreston 1 shtetas dhe procedon penalisht në gjendje të lirë 4 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Përmet arrestuan në flagrancë shtetasin F. Q., 26 vjeç, banues në Tiranë. Si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: M. Gj., 36 vjeç, banues në Gjirokastër, A. Ç., 24 vjeç, banues në Këlcyrë, P. D., 29 vjeç, banues në Përmet, E. L., 33 vjeç, banues në Përmet. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në shtëpinë e marë me qira nga shtetasi F.Q., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri dhe aksesorë për organizimin e kësaj loje. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, për veprime të mëtejshme.

 

Tiranë – Kontrolle me agjentë civilë dhe shërbime të hapura pranë shkollave të kryeqytetit, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për shpërndarje të lëndëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në afërsi të një shkolle u kapën dhe arrestuan në flagrancë dy të rinj, në tentativë për të shpërndarë lëndë narkotike. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një sasi dozash kanabisi me peshë 23.6 gr. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të planit të masave për “Identifikimin, goditjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shpërndajnë apo tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike në ambientet e shkollave apo përreth tyre” bëri arrestimin në flagrancë të shtetasve D. A., 27 vjeç dhe M. K., 22 vjeç (të dy banues në Tiranë). Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, rreth orës 12:25 kanë ushtruar kontroll në ambientet përreth një shkolle në Tiranë, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit D. A. dhe M. K., të cilët në bashkëpunim me njëri – tjetrin kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike (Cannabis Sativa). Gjatë kontrollit, u është gjetur një sasi dozash me lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa, me peshë 23.6 gr, të cilat u u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.

Dibër – Ushtron dhunë ndaj kunatës, arrestohet në flagrancë 45-vjeçarja, si dhe procedohet në gjendje të lirë motra e saj, pasi kanosi kunatën me armë. Sekuestrohet nga Policia arma e gjahut. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, u arrestua në flagrancë shtetasja Sh.D., 45 vjeçe, banuese në Dibër të Madhe. Si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasja Z. M., 31 vjeçe, banuese në Kukës (motra e shtetases Sh. D.). Arrestimi i saj u bë pasi për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike ndaj nuses së vëllait të saj shtetases A. D., 28 vjeçe, banuese në Dibër. Në konflikt është përfshirë edhe shtetasja Z. M., e cila ka kanosur me armë gjahu pa fishek shtetasen A. D. Arma e gjahut, në momentin e sekuestrimit rezultoi pa fishek. Arma është me leje dhe në pronësi të babait të dy motrave. Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë Dibër për hetime të mëtejshme.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 59 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 3 janë ndalur dhe 45 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë nadalur 3 shetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshem penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në qarkun Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, konkretisht: 2 në Tiraë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Kukës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 14 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 11 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Është evidentuar dhe arrestuar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Elbasan.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 2 në Elbasan.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.