Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Elbasan – Vijon operacioni “Domosdova”. Shkon në 5 numri i të arrestuarve. Kapen dhe vihen në pranga dhe 2 shtetas, në vijim të këtij operacioni. Gjithashtu, si rezultat i hetimeve shpallen në kërkim edhe 2 shtetas të tjerë. Në vijim të operacionit policor të koduar “Domosdova”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, finalizuar një muaj më parë nga DVP Elbasan, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 shtetas dhe u sekuestruan 28.5 kg kanabis, operacioni ka vijuar me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Si rezultat i hetimeve është bërë i mundur identifikimi i shtetasve që ua kishin shitur lëndën narkotike shtetasve të arrestuar gjatë operacionit. Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me DVP Fier, pas një pune të mirorganizuar, bënë kapjen dhe ndalimin e dy shtetasve: B. G., 46 vjeç dhe G. G., 51 vjeç, të dy banues në Roskovec. Gjithashtu, po në vijim të veprimeve janë shpallur në kërkim policor shtetasit R. M., 30 vjeç dhe Sh. G., 39 vjeç dhe po punohet për kapjen e tyre. Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.
Dibër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Lura”. Operacioni nga DVP Dibër, në bashkëpunim me DVP Tiranë. Vodhi me thyerje në banesën e një shtetasi, identifikohet dhe kapet autori. Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, në Lurë, Policia e Dibrës gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, dylbi nate dhe një sasi lënde narkotike kanabis. Operacioni për kapjen e autorit u finalizua në Bathore, Kamzë, Tiranë, nga ana e Seksionit të Kërkimit pranë Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas informacioneve të dhëna nga DVP Dibër. Shërbimet e Policisë Dibër, pas marrjes së informacionit se në fshatin Lurë e Vjetër, një shtetas kishte vjedhur me thyerje në banesën e shtetasit R. C., organizuan punën dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj vjedhjeje. Në vijim të veprimeve, Policia e Dibrës ushtroi kontroll në banesën e autorit të dyshuar, shtetasit M. V., ku gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov, një sasi municioni luftarak dhe rreth 300 gr. lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe disa sende të vjedhura në banesën e shtetasit R. C. Gjatë kontrollit të zonës për lokalizmin dhe kapjen e autorit, Policia e Dibrës siguroi informacion mbi vendndodhjen e tij dhe falë shkëmbimit të informacionit me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi për llogari të DVP Dibër, e autorit të dyshuar, shtetasit M. V., 56 vjeç, banues në fshatin Lurë e Vjetër, Dibër. Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Lezhë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Finalizohet operacioni policor i koduar “Miloti”. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve në DVP Lezhë. Arrestohet në flagrancë 24-vjeçari që u kap duke transportuar 11 emigrantë të paligjshëm. Në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të bëra nga strukturat e DVP Lezhë, për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas transportonte nga Tirana drejt Kosovës, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, organizuan punën dhe finalizuan operacionin policor “Miloti”. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. K., 24 vjeç, banues në Kodër Kamzë, Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Milot-Rrëshen, duke transportuar me mjetin e tij, 11 shtetas sirianë, kundrejt fitimit, për të kaluar kufirin me Kosovën, në mënyrë të paligjshme, me destinacion final një nga vendet e BE-së. Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprimet e mëtejshme.
Durrës – Ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale. Arrestohet në flagrancë dhe 1 drejtues mjeti. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, arrestuan shtetasit: A. M., 17 vjeç, banues në Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”, lidhur me operacionin e koduar “Nikla”, datë 12.07.2020; – M. S., 24 vjeç, banues në fshatin Zallë, Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë ka nxjerrë urdhër-ndalimi, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, sepse më datë 14.06.2020, ka goditur me sende të forta shtetasin P. D., 53 vjeç. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Z. Ll., 36 vjeç, banues në banues në Laç, pasi më datë 14.07.2020, në aksin rrugor Laç-Fushë Krujë, duke drejtuar mjetin tip “Golf”, është përplasur me motorin tip “Piaggio” me drejtues shtetasin S. V., 52 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tropojë – Më datë 15.07.2020, rreth orës 14:30, në fshatin Bujan, si pasojë e një konflikti të çastit për motive pronësie, shtetasi R. B., në afërsi të banesës, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, jashtë rrezikut për jetën, komshiun e tij shtetasin A. H., punonjës policie i Komisariatit të Policisë Tropojë, i cili në momentin e ngjarjes ishte jashtë shërbimit dhe ngjarja s’ka lidhje me detyrën. Shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes për të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit. Njëkohësisht është ngritur grupi hetimor, i cili po shkon në vendngjarje, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shkodër – Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet operacioni policor “Mazrek 2020”. Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike. Procedohet në gjendje të lirë kryetari i Njësisë Administrative Guri i Zi. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në kuadër të operacionit policor “Mazrek 2020”, u bë ndalimi i shtetasit në kërkim P. N., 36 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër. Ndalimi i tij u bë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që ky shtetas, në fshatin Mazrek, lagjja “Geraj”, Njësia Admininistrative Gur i Zi, ka kultivuar fidanë narkotike në një sipërfaqe toke pyjore. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë, shtetasi P. M., 31 vjeç, me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Guri i Zi, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Bien në prangat e policisë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. A., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 257 gr. lëndë e dyshuar cannabis sativa dhe 4 fidanë të dyshuar cannabis sativa; N. H., 35 vjeç dhe Gj. Gj., 31 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shitje të lëndës narkotike të llojit heroinë, në rrugët “Kongresi i Lushnjës” dhe “Ylbere Bylykbashi”. Gjatë kontrollit fizik të dy shtetasve iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiali një sasi lënde narkotike e dyshuar heroinë, e ndarë në doza gati për shitje dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. GJ., 41 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur 12 vjeçe. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. C., 52 vjeç, pasi, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vajzës dhe bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve N. A., Gj. N. dhe O. P., pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur dhe E. M., 34 vjeç, pasi u kap në flagrancë duke drejtuar motoçikletën pa lejen përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 96 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 4 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Lezhë dhe 1 në Elbasan; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 2 në Berat, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 2 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorit po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, me 2 autorë po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Durrës, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, 1 në Vlorë dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në Tiranë.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.