Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 14 tetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Zbardhet ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit A. N. dhe Xh. V. Brenda pak orëve kapen e vihen në pranga 2 nga autorët e dyshuar të ngjarjes, si dhe shpallet në kërkim autori i tretë i ngjarjes, të tre me precedent të mëparshëm penal, njëri prej tyre me masë sigurie “Arrest në shtëpi”. Në pranga edhe njëri prej të plagosurve, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, e dyshuar e përdorur në ngjarje. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasit F. P., 27 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; D. M., 27 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë. Si dhe u shpall në kërkim si autor i tretë i dyshuar i ngjarjes, shtetasi I. Xh., 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë. Këta shtetas, ditën e djeshme, rreth orës 17:00, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit A. N., 28 vjeç dhe Xh. V., 26 vjeç,  të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe shtetasve të plagosur. Në vijim të veprimeve, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. N., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”. Gjithashtu, falë veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë bënë të mundur gjetjen e armës së zjarrit pistoletë të përdorur në vendngjarje nga autorët e dyshuar. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Vijojnë kontrollet e pandërprera për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. Arrestohet një shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër që ushtronin këtë veprimtari. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan shtetasin Z. M., 35 vjeç, banues në Fier dhe proceduan penalisht shtetasin F. K., 16 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen “Konferenca e Pezës” në lokalin në pronësi të shtetasit F. K ku ishte i punësuar shtetasi Z. M., u gjet dhe u sekuestrua një kompjuter që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” e kryer në bashkëpunim. Po nga këto struktura u arrestua në flagrancë shtetasi E. S., 40 vjeç, banues në Fier dhe u shpall në kërkim shtetasi S. M., 30 vjeç, banues në Fier, pasi në lagjen “29 Nëntori” në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë vjedhur një sasi parash në çantën e krahut shtetasit N. F. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Vjedhje” e kryer në bashkëpunim.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. V, 44 vjeç, pasi ka shkelur vendimin e Gjykatës dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. H, 48 vjeç, pasi me datë 29.09.2021, ka goditur me sende të forta dhe më pas i ka marrë me dhunë një shumë parash shtetasit F. D. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. L, 34 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë rendit publik”,pasi dyshohet se duke drejtuar mjetin në gjendje dhe duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë, nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar; M. K, 35 vjeç dhe B. N, 34 vjeçe, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Rreth orës 00:50, të datës 14.10.2021, ka shkuar në spital dyshohet i dëmtuar me mjet prerës shtetasi E. B, 30 vjeç, i cili nuk jep sqarime për ngjarjen. Paraprakisht dyshohet për vetëplagosje. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 30 janë arrestuar në flagrancë dhe 47 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 rast në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 1 në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Lezhë dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 7 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave”, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan.

Në Korçë janë proceduar penalisht 3 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në Vlorë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, 1 për “Mashtrimi” dhe 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.