Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. D., 23 vjeç,pasi në rrugën “Hasan Alla”, nga kontrolli i ushtruar nga Forca e Posaçme “Shigjetat”, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë ndalimi i shtetasit E. M., 19 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve O. Z., 36 vjeç, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje; E. M., 18 vjeç (nxënës i një shkolle), pasi ka goditur për shkak të detyrës oficerin e shkollës. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Gj., 21 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse është përfshirë në një aksident vetëm me dëme materiale. Më datë 13.04.2021, në rrugën Tiranë-Ndroq, në fshatin Varosh, është gjetur pa shenja jete shtetasi S. M., 54 vjeç. Dyshohet se mund të jetë aksidentuar nga një mjet ende i paidentifikuar, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Poliçan – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Stacionin e Policisë Poliçan u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi L. B., 29 vjeç, banues në Poliçan. Arrestimi i tij u bë pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë në rrugë, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
DVP Fier – Bien në prangat e Policisë 2 shtetas, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Përndjekja”, shtetasin N. K., 34 vjeç, banues në Patos, pasi në datën 13.04.2021 ka përndjekur një shtetase të mitur 17 vjeçe. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, shtetasin G. Q., 20 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka shkelur vendimin e Gjykatës, duke shkuar te shtëpia e gjyshërve të tij, të cilët ishin të pajisur me urdhër mbrojtjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Fier – U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier, për shtetasin E. Dh., 46 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, pasi ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij.
Dibër – Vihet në pranga personi i shpallur në kërkim policor ditën e djeshme, si bashkautor në vrasjen me armë të shtetasit XH. K. Si rezultat i kontrollit të pandërprerë dhe krehjes së zonës nga strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, për kapjen e bashkautorit të vrasjes së 50-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi A. M., në pamundësi për të qëndruar i fshehur dhe për t’u larguar, iu është vetëdorëzuar forcave të Policisë. Ky shtetas qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë. Nga hetimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, dyshohet se dy vëllezërit, shtetasit M. M., i arrestuar nga Policia menjëherë pas ngjarjes dhe shtetasi A. M., në vendin e quajtur “Kryqëzimi i lagjes Koneshe”, Njësia Administrative Luzni, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Gjirokastër – Janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Gjirokastër, pasi një person ende i paidentifikuar ka çarë me mjet të mprehtë gomën e automjetit në pronësi të shtetasit T. Sh., 72 vjeç, banues në Tiranë. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 20 janë arrestuar në flagrancë dhe 55 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Korçë; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 1 Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste, 4 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, 1 në Lezhë, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara”, në Lezhë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Janë evidentuar 2 raste të “Përndjekja”, 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.