Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 14 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, një shtetas i shpallur në kërkim, me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve, shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe të armëmbajtjes pa leje. 33-vjeçari, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi që ishte në kërkim, organizuan punën për kapjen e tij. Si rezultat i mirorganizmit të punës u bë e mundur që në rrugën “Sami Frashëri” të lokalizohej dhe të kapej shtetasi K. Gj., 33 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, person me precedent të theksuar kriminal. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore Policisë Elbasan, pasi Gjykata e Apelit Durrës, në vitin 2019, i ka vendosur masën e sigurimit personal ”Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike”. Veprimet e mëtejshme për ekzekutimin e  vendimit të Gjykatës u kryen nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.

Dibër – Vijon operacioni policor “Shumbati”. Shkon në katër numri i të arrestuarve për vjedhjen me armë të një shume parash në një banesë. Kapet autori i katërt i vjedhjes me armë të një shume parash në fshatin Grykë Nokë, Dibër (ngjarje e ndodhur tetor 2019). Strukturat e Policisë së Dibrës, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë,  vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të veprave penale, si dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit  të shpallur në kërkim: V. S., 34 vjeç, banues në Kukës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Policia e Dibrës, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë ( të cilët janë arrestuar më parë), kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një shumë parash në banesën e shtetasit I. H. Për këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, mbetur në tentativë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për hetime të mëtejshme.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Zall Bastari”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, i ndjekur me metoda speciale të hetimit. Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Vihen në pranga 4 shtetas, si dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë. Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një pune investigative dhe hetimore, në vijim të kontrolleve të pandërprera për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacioni policor “Zall Bastari”, në kuadër të cilit u bë ndalimi i shtetasve: I. M., 45 vjeç, Q. M., 68 vjeç, B. H., 44 vjeç dhe L. M., 44 vjeçe, të gjithë banuese në Tiranë. Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve N. M., 44 vjeç dhe  F. M., 43 vjeçe. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur “Zgurë”, Njësia Administrative Zall Bastar, në një serë kanë kultivuar në kubikë fara narkotike, të cilat po tentonin t’i mbillnin në tokë. Kubikët me fidanë kanabisi u asgjësuan gjatë operacionit dhe një pjesë e tyre u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e autoreve të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Berat – Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve. Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të kanabisit në Skrapar. Goditet edhe një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, në Berat. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër. Në vijim të punës për parandalimin dhe kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa kanë vazhduar  kontrollet masive në të gjithë territorin e Qarkut Berat. Si rezultat i këtyre kontrolleve dhe informacioneve të marra në rrugë operative, shërbimet e  Komisariatit të Policisë Skrapar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. Q., 27 vjeç, banues në Bersak, Skrapar dhe proceduan penalisht shtetasin  S. Gj., 69 vjeç, banues në Bersak, Skrapar. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në afërsi të stanit të tij, në fshatin Krastë, Skrapar, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar fidanë të dyshuar narkotikë. Gjithashtu, nga ana e specialistëve të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta kokainë  dhe heroinë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. S., 30 vjeç, banues në Berat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e strukturave të Policisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7 doza kokainë, 15 doza kanabis dhe një sasi farash narkotike për kultivim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.

Shkodër – Operacion për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni nga strukturat e DVP Shkodër. Kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, i dënuar për disa vepra penale. Vihet në pranga edhe një shtetas tjetër, për përkrahje të autorit të krimit. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe forcën e posaçme “Shqiponjat”, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, në lagjjen “Rus”, Shkodër, kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit me rrezikshmëri të lartë shoqërore Françesk Vala, 26 vjeç, lindur e banues në fshatin Gjuraj, Njësia Administrative Pult, Bashkia Shkodër. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, Tiranë, këtë shtetas e ka deklaruar fajtor dhe e ka dënuar  me 8 vjet burg, për kryerjen e veprave penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Ky shtetas  është  autor i ngjarjes së ndodhur në vitin 2015, në fshatin Gjuraj-Plan, Njësia Administrative Pult, Bashkia Shkodër, ku në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë, ka rrëmbyer dhe mbajtur peng shtetasin S. K., në këmbim të vlerës 10.000 euro. Po gjatë operacionit Policia ka arrestuar në flagrancë, për përkrahe të autorit të krimit, edhe shtetasin M. G, 25 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, pasi me automjetin e tij po transportonte personin e dënuar me 8 vite burg. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme, goditën një tjetër rast. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. N., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi ka kundërshtuar forcat e Policisë për t’i ushtruar kontroll fizik. Këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi J. T., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”. Ndërkohë, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor janë arrestuar në flagrancë shtetasit B. G., 61 vjeç, A. Z., 44 vjeç dhe I. D., 62 vjeç, pasi janë konstatuar duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë janë kapur dhe ndaluar shtetasit T. H., 25 vjeç dhe B. P., 47, të shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Drejtonin automjetet në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, arrestohen në flagrancë 6 shtetas. Arrestohet dhe një 49-vjeçar, për veprën penale “Dhunë në familje”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit: A. B., 24 vjeç, banues në fshatin Poroçan, Gramsh. Pasditen e djeshme, në aksin rrugor Gramsh-Poroçan, shtetasi A. B., duke drejtuar mjetin tip furgon nën ndikimin e alkoolit, humbi kontrollin dhe mjeti doli nga rruga. Si pasojë humbi jetën shtetasi A. Ll. dhe u plagosën shtetasit Sh. P., N. K., B. Q., E. Q., R. B., dhe B. Ç., pasagjerë në mjet, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të hetimit u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi B. Q. (pasagjer), për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; S. D., 39 vjeç, banues në fshatin Derstilë, Elbasan, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi; G. Sh., 42 vjeç, banues në Gjinar, Elbasan, pasi në aksin rrugor Elbasan-Gjinar, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga, për pasojë është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën; A. Xh., 55 vjeç, banues në Elbasan, pasi në rrugën “Qemal Stafa”, Elbasan, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë nga rruga. Ky shtetas është larguar nga vendngjarja, por falë veprimeve të shpejta u kap nga shërbimet e Policisë; R. P., 31 vjeç, banues në Elbasan dhe A. D., 42 vjeç, banues në Godolesh, Elbasan, pasi në aksin rrugor Elbasan- Godolesh, shtetasi R. P., duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur është përplasur me një motoçikletë që drejtohej pa leje drejtimi nga shtetasi A. D. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. P., 49 vjeç, banues në Elbasan,  pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Fier – Policia ka ndaluar 2 shtetas, 1 për “Ndërtim pa leje” dhe 1 për “Plagosje të rëndë me dashje”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin V. T., 23 vjeç, banues në Darzezë, Fier, pasi në plazhin e Darzezës, u kap duke ndërtuar pa leje, në pronë shtetërore, një objekt me materiale druri (lokal). Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Ndërtim pa leje”. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier ndaluan shtetasin S. K., 33 vjeç, banues në Fier, pasi më datë 08.05.2020, në lagjen “8 Shkurti”, ka goditur për motive të dobëta, me mjete të forta, shtetasin I. Gj., duke i shkaktuar dëmtime në kokë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Lushnjë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë ndaluan shtetasin R. M., 31 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ky shtetas ka konsumuar elementë të veprës penale “Vepra të turpshme”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime të mëtejshme.

OFL, 14 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: D. Q., F. M. dhe L. D., banues në Tiranë. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 105 shtetas, konkretisht: 23 janë arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 74 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste: 5 raste të “Kanosja”, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë;  1 në Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 14 raste të ndërtimit pa leje, 5 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Dibër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 4 në Elbasan.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 në Fier.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.