Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 13 maj 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë-Finalizohen gjatë orëve të fundit, 2 operacione policore, të koduara “Camouflage 5” dhe “Hostel”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.Operacionet u zhvilluan nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë dhe Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.Gjatë operacionit policor të koduar “Camouflage 5” u arrestua në flagrancë 1 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, të cilët po bashkëpunonin për të ndihmuar 5 emigrantë, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.Gjatë operacionit policor të koduar “Hostel”, u arrestua në flagrancë 1 shtetase që strehonte në hotelin e saj, 9 emigrantë, të cilët do t’i ndihmonte për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.Procedohen penalisht edhe 14 emigrantët e paligjshëm.Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë dhe Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën  e kalimit të paligjshëm të kufirit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionet policore të koduara “Camouflage 5” dhe “Hostel”.Në kuadër të operacionit policor të koduar “Camouflage 5” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. F., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A. L., 24 vjeç, banues në Tiranë.Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit monetar, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, nga Devolli në Tiranë. Më pas, pasi i strehonin emigrantët e paligjshëm në Tiranë, me ndihmën e personave të tjerë, kryenin transportin e tyre drejt Kukësit, me qëllim kalimin në Kosovë dhe më pas në vendet e BE-së.  Punohet për kapjen e shtetasit A. L., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.Në kuadër të operacionit policor të koduar “Hostel” u bë arrestimi në flagrancë i shtetases V. K., 59 vjeçe, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Kjo shtetase kishte strehuar në hotelin që administronte, në Laprakë, 9 emigrantë që kishin hyrë në mënyrë ilegale në Shqipëri, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar dhënien ndihmë për transportimin e tyre, drejt pikave të kalimit kufitar.Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 14 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Bulqizë-Goditën me sende të forta 2 shtetas, ndërhyrja në kohë e policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshmëm të konfliktit.Arrestohen në flagrancë dy prej autorëve  dhe shpallen në kërkim dy të tjerë.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas informacioneve të marra se në lagjen “Gjeologu”, në ambientet e një lavazhi po konfliktoheshin disa persona, menjëherë kanë organizuar punën dhe janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ku falë ndërhyrjes së shpejtë  kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasit B. Ç., M. P., D. Ç., dhe S. C., kanë shkuar në ambientet e lavazhit të shtetasit E.T., dhe pas një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta shtetasit E. T., 34 vjeç, dhe D.T., 25  vjeç, duke u shkaktuar dëmtime në trup të cilët  ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, bënë  arrestimin në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” , kryer në bashkëpunim, të shtetasve B. Ç, 26 vjeç; M.P., 27 vjeç, banues në Bulqizë, si dhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e  shtetasve D. Ç, 29 vjeç; S. C.,26 vjeç,  të cilët pas mbërritjes së shërbimeve të policisë në vendin e ngjarjes kanë arritur të largohen.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë-Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për shtetasit:- V. H., 63 vjeçe, banues në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u konstatua duke bërë punime në lokalin e saj, pa lejen e organeve kompetente;- D. D., 66 vjeç, banues në fshatin Sherishtë, Vlorë, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.Specialistët e Hetimit të Krimit në Stacionin e Policisë Orikum referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, në ngarkim të shtetasit N. H., 48 vjeç, banues në Orikum, pasi ka ndërtuar pa leje, një strukturë me material druri, pranë portit të jahteve, Radhimë.Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Delvinë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, në ngarkim të shtetasit Z. M., 67 vjeç, banues në Delvinë, pasi me vetëgjyqësi i ka bllokuar rrugën përpara banesës, shtetases M. M.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, janë proceduar penalisht 123 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 25 janë arrestuar, 81 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste: 1 rast i veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë; 3 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Kanosja” me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim, si dhe 1 rast i veprës penale “Goditje për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të arrestuar.

Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprave penale në fushën e mosbindjes/kundërshtimit ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 5 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të arrestuar; “Kallëzimi i rremë”, me 1 shtetas të arrestuar; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të ndaluar, si dhe “Punësimi i paligjshëm”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë. Gjithashtu, është evidnetuar nga 1 rast i veprave penale “Dhunimi i banesës” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, me 2 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, për të cilit vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim, nga 1 rast i veprave penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Shpërdorimi i tokës”, me 2 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 1 rast i veprës “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të arrestuar.

Për veprat penale me objekt zjarrvënien janë evidentuar 3 raste, një prej tyre është me autorë ende të paidentifikuar, për të cilit vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Për 2 ngjarje të tjera, dyshohet se janë aksidentale, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e tyre.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 4 raste, prej këtyre 2 raste janë me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë. Gjithashtu janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprave penale me objekt mashtrimin, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 6 raste të veprave penale me objekt fshehjen e të ardhurave, me 1 shtetas të arrestuar dhe 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; 3 raste të veprës penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe nga 1 rast i veprave penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare” dhe “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, me 2 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 3 të tjerë të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e Policisë , si dhe 5 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 3 shtetas të ndaluar dhe 15 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, si pasojë e të cilëve 1 shtetas është në gjendje të rëndë për jeten dhe 6 shtetas të tjerë janë dëmtuar, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 9 shtetas të arrestuar dhe 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.