Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 13 korrik 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kakavijë – Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.  Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen në total 94210 paund.    Procedohet penalisht poseduesi i shumës monetare. Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në kontroll më të detajuar, automjetin tip furgon me drejtues shtetasin N. T., 49 vjeç, banues në Dimal. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bashkëpunim me shërbimet doganore, në një vend të përshtatur në automjet gjetën të fshehura 86810 paund, ndërsa në një çantë dore gjetën dhe 7400 paund, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, drejtuesi i furgonit, shtetasi N. T. u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. C., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. A., 52 vjeç, pasi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u kap nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor, drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe me një leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit G. K., 46 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. S.(Xh)., 23 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë ndalimin e shtetasit D. K., 33 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë e ka dënuar me 8 muaj burg, për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. B., 50 vjeç dhe N. Ç., 48 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; K. L., 20 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; O. S., 34 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme ka aksidentuar shtetasen Z. Xh., 73 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Duke marrë shkas nga një video e publikuar në rrjetet sociale, ku në fshatin Seman, një automjet tip “Opel Korsa” tërheq nga pas një kafshë shtëpiake (qen), duke shkaktuar keqtrajtimin e kafshës e cila ka ngordhur, ju sqarojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, identifikuan dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. S., 50 vjeç, banues në Hoxharë e Vjetër, Fier. Në vijim të veprimeve, u procedua penalisht shtetasi F. S., për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Fier fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 85 penalisht shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 20 janë arrestuar në flagrancë dhe 62 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë; 3 raste të raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër;  4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 më Korcë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 12 raste, 4 raste në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 4 në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 17 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 2 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, me 1 autor që procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste, 2 në Tiranë, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale :Veprime në kundërshtim me vendimin gjykatës”,1 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për falsifikim dokumentesh.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për mashtrim.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas , për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 1 në Fier dhe 1 në Tiranë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 9 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.