Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Fier – Vijon zbatimi i planit të masave, për rritjen e parametrave të sigurisë. Kontrolle të shumta për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që mbajnë armë pa leje. Kontrolle edhe në drejtim të qarkullimit rrugor, për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi. Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim, arrestohet në flagrancë 1 shtetas për armëmbajtje pa leje, si dhe 2 të tjerë nga Qarkullimi Rrugor. Gjatë orëve të vona të mbrëmjes, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, gjatë kontrolleve të ushtruara, arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 20 vjeç, banues në Skrapar. Gjatë kontrollit personal, këtij shtetasi ju gjet një armë zjarri automatik dhe 1 krehër me 10 fishekë, vepër penale për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vite burg. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. S., 30 vjeç, banues në Divjakë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ndërkohë, kontrollet kanë vijuar dhe nga Policia Rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor dhe si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: R. K., 30 vjeç, banues në Lushnjë, pasi drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe J. Xh., 33 vjeç, banues në Fier, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Kontrollet e Policisë do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.
Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Zjarrvënësit”. Operacioni nga Komisariatit i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me prokurorinë, pas një hetimi dymujor. Zbardhen djegiet e dy automjeteve. Vihen në pranga 2 autorët, me precedent penal të mëparshëm dhe të dyshuar edhe për disa ngjarje të tjera. Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan bënë të mundur zbardhjen e dy ngjarjeve, djegie automjetesh, njëri prej të cilëve ishte në pronësi të një punonjësi policie, të ndodhura në muajin dhjetor 2019 dhe në muajin janar 2020. Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit dymujor dhe pas një pune të mirëorganizuar nga ana e strukturave të Komisariatit te Policisë Elbasan, u finalizua operacioni policor i koduar “Zjarrvënësit”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve G. H., 31 vjeç, lindur dhe banues ne Elbasan, i dënuar më parë për plagosje dhe B. R., 20 vjeç, lindur dhe banues ne Elbasan, i dënuar më parë për vjedhje. Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta persona janë autorë të dy ngjarjeve kriminale të djegieve të automjeteve në qytetin e Elbasanit, konkretisht: Më datë 24.12.2019, rreth orës 21:50, në lagjen “5 Maji”, Elbasan, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht në pjesën e përparme, mjeti tip “Benz”, në përdorim nga shtetasi K. K; Më datë 09.01.2020, rreth orës 00:10, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht mjeti tip “Pasat”, në pronësi të shtetasit E. Gj. Po nga informacionet e marra dyshohet se shtetasit G. H. dhe B. R., në kohë dhe vende të ndryshme kanë kryer djegie të automjeteve, në qytetin e Elbasanit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ”Shkatërrimi i pronës me zjarr ”, kryer në bashkëpunim.
Tiranë – Goditet një tjetër rast i organizmit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Poker”. Vihen në pranga 11 shtetas, mes tyre edhe pronari i lokalit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal në rrugën “Haxhi Kika” zhvillohej veprimtari kriminale në fushën e lojërave të fatit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Poker”. Si rezultat i operacionit, në orët e para të mëngjesit të sotëm u kapën dhe u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Moskallëzimi i krimit”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit: Xh. S., 21 vjeç, K. A., 20 vjeç, H. Ç., 24 vjeç, Sh. G., 38 vjeç, B. Ç., 30 vjeç, D. C., 21 vjeç, A. A., 35 vjeç, të shtatë banues në Tiranë dhe E. Ç., 25 vjeç, S. M., 44 vjeç dhe F. K., 42 vjeç, të tre banues në Fier. Gjithashtu, gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe pronari i lokalit, shtetasi H. T., 21 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizim ose ushtrim i veprimtarive të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin”, kryer në bashkëpunim. Nisur nga informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Haxhi Kika”, në ambientet e një lokali me pronar shtetasin H. T., ushtrohej veprimtari e kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit dhe se ky shtetas kishte venë në dispozicion të kësaj veprimtarie ambientet e lokalit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 organizuan operacionin dhe gjatë kontrollit të ushtruar, në orën 00:30, të datës 12.02.2020 kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasve të lartpërmendur, të cilët po ushtronin aktivitetin e palejuar të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: një tavolinë e përshtatur për tavolinë pokeri, sasi lekësh dhe eurosh, fisha dhe letra bixhozi, një bllok me shënime për aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, një DVR, si dhe telefona që shërbenin për vënien e basteve sportive të palejuara. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”, të kryera në bashkëpunim.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 44 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 4 në Tiranë, 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste, 1 në Tiranë, 1 në Kukës, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 10 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Elbasan dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Durrës, 3 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.