Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tropojë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Tropojë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë. Kishin instaluar kamera dhe granata gati për shpërthim, në parcelën ku kishin kultivuar bimë narkotike, kapet dhe vihet në pranga njëri nga autorët, shpallet në kërkim autori tjetër. Këta shtetas janë të dyshuar si autorë edhe të një rasti tjetër të kultivimit të bimëve narkotike, në vitin 2020. Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, organizuan punën për identifikimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, në pyllin e fshatit Kovaç. Pas punës hetimore, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, u bë i mundur identifikimi i autorëve. Bazuar në provat e siguruara, më datë 10.04.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar ndaj këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, të kryera në bashkëpunim. Në zbatim të vendimit të gjykatës u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Sofistikimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. H., 51 vjeç, banues në fshatin Kovaç dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit B. Ç., 22 vjeç, banues në fshatin Kovaç. Bazuar në provat e siguruara, rezulton se këta shtetas, më datë 28.09.2021, në pyllin e fshatit Kovaç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike, përreth të cilave kishin lidhur me fill sintetik 2 granata ofensive, si dhe kishin vendosur kamera, për të monitoruar zonën. Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se në muajin korrik të vitit 2020, kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin Hoxhaj. Për këtë rast ishte regjistruar procedimi penal në Prokurori.Vijon puna për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.
Vlorë-Vijon operacioni policor i koduar “Çairet”, shkon në 3 numri i personave të arrestuar. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Operacionale në DVP Vlorë. Gjatë operacionit, në muajin gusht 2021, u sekuestruan 262 kg lëndë narkotike kanabis dhe u shpallën në kërkim 3 autorët e dyshuar të veprimtarisë kriminale. Kapet dhe vihet në pranga për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike’’, ‘’Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’’ dhe ‘’Vjedhja e energjisë elektrike’’, të kryera në bashkëpunim, njëri nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Operacionale në DVP Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të shpallur në kuadër të operacionit “Çairet”, organizuan punën për kapjen e tij. Në vijim të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. K., 21 vjeç, banues në Kaninë, Vlorë, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike’’, ‘’Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’’ dhe ‘’Vjedhja e energjisë elektrike’’, të kryera në bashkëpunim. Ky shtetas është shpallur në kërkim në muajin gusht të vitit të kaluar, së bashku me shtetasit F. K., 45 vjeç dhe E. K., 22 vjeç, pasi në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit F. K. u gjetën dhe u sekuestruan 210 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient pranë banesës së këtij shtetasi, e përshtatur si serë, me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, Policia gjeti fidanë narkotikë të kultivuar në serë dhe në kubikë, si dhe 52 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, në proces tharjeje. Gjithashtu, gjatë operacionit, në gusht 2021, janë arrestuar në flagrancë shtetasit: A. T., 61 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe G. I., 51 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Vijon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë që janë shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 128 shtetas, konkretisht: 13 janë ndaluar, 33 janë arrestuar, 66 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 16 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 2 shtetas të ndaluar dhe 3 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste: 1 rast i veprës penale “Vrasja me dashje”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna intensive nga ana e strukturave policore; 6 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 10 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 rast i veprës penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Prostitucioni” dhe “Vetëgjyqësia”, për të cilët rezultojnë 5 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe me 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë; për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe me 1 të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 shtetas të ndaluar dhe 3 të tjerë të shpallur në kërkim.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 1 shtetas të arrestuar.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, me 15 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 7 të tjerë të shpallur në kërkim. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, me 15 shtetas të arrestuar, 7 të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 5 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Gjithashtu është evidentuar 1 rast i veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Braktisja e kafshës së shoqërimit”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë, si dhe 2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 7 rastet e tjerë rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe 9 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste i veprës penale “Pushtimi i tokës”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”, me autorë të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon ende punën Policia.
Për veprat penale në fushën e zjarrvënies është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna intensive nga ana e strukturave policore.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 11 raste, prej këtyre janë 4 raste janë me autorë ose bashkautorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 7 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 4 shtetas të ndaluar, 2 të shpallur në kërkim dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë,
Janë evidentuar gjithashtu, 7 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 15 shtetas të arrestuar, 7 shtetas të shpallur në kërkim, 1 shtetas të ndaluar dhe 5 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, me 15 shtetas të arrestuar, 7 të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të ndaluar.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të ndaluar.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 4 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” është evidentuar nga 1 rast, me 1 shtetas të ndaluar.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu është evidentuar 1 rast për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave policore.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 aksidente, si pasojë e të cilëve 1 shtetase është në gjendje të rëndë për jetën dhe 9 të tjerë janë të dëmtuar, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 19 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, 2 prej të cilëve me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë, të bashkëshoqëruar me veprën penale “Largimi nga vendi i aksidentit”, ndërsa 17 rastet e tjera rezultojnë me 6 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, 1 shtetas të ndaluar dhe 8 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.