Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet operacioni i koduar “Braka”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë. Goditen dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa. Vihen në pranga 3 shtetasit që posedonin dhe shpërndanin lëndën narkotike, 2 prej tyre vëllezër. Sekuestrohet lënda narkotike kokainë dhe cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje. Specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: G. H., 25 vjeç dhe A. H., 20 vjeç (vëllezër). Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa dhe më pas e shisnin atë në doza të vogla, në zona të ndryshme të Tiranës. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale lëndë e dyshuar cannabis sativa, 1 peshore elektronike, fishekë luftarakë, 1 dorezë metalike (përforcues grushti), dy aparate celularë, 1 patentë dhe kartë ID të dyshuara të falsifikuara. Gjithashtu, po në kuadër të operacionit “Braka” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. J., 39 vjeç, i cili merrej me shitje të lëndës narkotike të llojit kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, duke e kamufluar aktivitetin e tij kriminal, me një mjet taksi që kishte në përdorim. Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjetën doza me lëndë narkotike kokainë dhe një shumë parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me mjetin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i vizave ose i pasaportave”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 51 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të arrestuar dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 3 raste të “Kanosja”, me 3 autorë që janë proceduar në gjendje të lirë, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 2 raste, 1 raste më 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 rast me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 1 autor të shpallur në kërkim dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Mashtrimi”. Gjithashtu janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Ndotja e ajrit” dhe 1 tjetër për “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Në Elbasan është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 2 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Fier dhe 1 në Kukës.
Në Fier janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Në Vlorë janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe 2 të tjerë për “Vetëgjyqësia”.
Në Vlorë dhe në Shkodër janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në Fier është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.