Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 12 mars 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Krujë – Bie në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë” dhe “Shkatërrim i pronës”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë kanë arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim K.(B). L., 46 vjeç, banues në Mal i Bardhë, Milot, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë. Ky shtetas, më datë 31.01.2021, është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke ushtruar aktivitetin në lokalin e tij në fshatin Hasan, Fushë Krujë, pas orarit të pacaktuar për mbyllje. Gjatë kontrollit, ky shtetas ka goditur për shkak të detyrës specialistin e shërbimet të rendit pranë stacionit të Policisë Fushë Krujë dhe më pas ka dëmtuar mjetin e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier – Bien në prangat e policisë 2 shtetas, një prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, ndaluan shtetasin A. A., 30 vjeç, banues në Drenovë, Mallakastër. Ndalimi i 30-vjeçarit u bë pasi nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas është autor i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa të konstatuara në datë 30.06.2020 në fshatin Drenovë, Mallakastër. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim G. M., 45 vjeç, banues në Patos. Për këtë shtetas u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, pasi i ka mbetur për të kryer edhe 4 muaj e 10 ditë burgim, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Berat – Procedohen penalisht 2 shtetas, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor”. Nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik filloi procedimi penal për shtetasit E. D., 38 vjeç, banues në Berat, administrator subjekti, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në subjektin e tij në fshatin Vodicë, iu gjetën 4 punëtorë të paregjistruar, si dhe një kamion i ngarkuar me pllaka guri dekorative, për të cilat nuk kishte faturë tatimore; I. L., 35 vjeç., banues në Poliçan, administrator subjekti, pasi në aksin rrugor Skrapar-Berat, është kapur nga shërbimet e Policisë duke transportuar me një kamion, pllaka guri dekorative të pashoqëruara me dokumentacion tatimor, si dhe kishte një punonjës të pasiguruar.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Më datë 11.03.2021 u referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për ngjarje aksidentale, pasi shtetasi E. K., 39 vjeç, banues në Bulqizë, gjatë punës në një minierë kromi në Bulqizë, ka dëmtuar lehtë këmbën. Pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital është larguar për në banesë.

Tiranë – Bien në pranga 9 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.  Në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim kombëtar, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale, kapën dhe ndaluan shtetasin I. F., 56 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. K., 33 vjeç, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasi G. V., 39 vjeç, pasi gjatë kontrollit të mjetit me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer G. V., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar kanabis dhe kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 37 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. Z., 30 vjeç, A. Sh., 34 vjeç, F. B., 59 vjeç dhe E. I., 35 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; K. P., 51 vjeç dhe A. Sh., 34 vjeç, pasi duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur janë përfshirë në një aksident vetëm me dëme materiale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u procedua në gjendje të lirë shtetasi i huaj me iniciale Sh. T., 39 vjeç, pasi në rrugën “Teodor Keko”, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të godasë me mjet prerës shtetasin L. Z. Më datë 12.03.2021, rreth orës 00:45, në Sauk, persona të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta shtetasin D. B., 23 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Punohet për identifikimin, kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Më datë 11.03.2021, në rrugën “Xhanfize Keko”, kanë goditur në bark me mjet prerës (thikë) shtetasin e mitur me iniciale K. H., 13 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Nga Komisariati i Policisë Kavajë janë proceduar penalisht 24 shtetas (mes tyre edhe organizatori, përfaqësues politik lokal), për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 10 janë arrestuar në flagrancë dhe 76 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 6 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Fier; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 2 raste në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”,  1 në Tiranë dhe 3 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”,. Në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kanosja për shkak të detyrës”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 2 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, në Tiranë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.