Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Elbasan – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas shqiptar i dënuar nga autoritetet italiane. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale” në Drejtorinë Vendore e Policisë Elbasan dhe Interpol Tirana, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe arrestuan përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Eduart (Artan) Haxhi, 46 vjeç, banues në Elbasan. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Torino, Itali, në datën 04.03.2008, e ka dënuar me 10 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Shtyrje për prostitucion në rrethana rënduese”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga zyra e Interpolit Tiranë.
Vlorë, Sarandë – Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. L., 29 vjeç dhe A. P., 23 vjeç të dy banues në Sarandë. Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në lokalin e shtetasit A. L., në lagjen nr. 1, Sarandë, ku ishte i punësuar dhe shtetasi A. P., u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pajisje kompjuterike që shërbente për zhvillimin e lojërave të fatit. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit A. B., 49 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 09.03.2021, i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Goditën me sende të forta një shtetas, Policia identifikon dhe shpall në kërkim një prej autorëve. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u shpall në kërkim policor shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Vlorë, dhe po punohet për kapjen e tij, pasi dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin A. H., 38 vjeç, banues në Vlorë. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e dy personave të tjerë të përfshirë në konflikt. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje,” kryer në bashkëpunim. Më datë 11.03.2021, rreth orës 02:22, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht mjeti tip “Fiat” në pronësi të shtetasit E. S., banuese në Vlorë. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Tiranë – Nga shërbimet e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë u bë ekzekutimi i vendimit të ndalimit për shtetasin A. G., 60 vjeç, sepse me vendimin penal të formës së prerë, Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 1 muaj burg, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Dhuna në familje”. Më datë 10.03.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit në kërkim R. N., 34 vjeç, pasi në rrugën “Kastriotët”, ka goditur me një mjet prerës (e dyshuar thikë), shtetasin R. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Kakavije – Kapet një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kapur shtetasin G. M., 37 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Përvetësim i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Ky shtetas iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 52 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 6 janë arrestuar në flagrancë dhe 38 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 ën Korçë dhe 1 në Fier; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 1 në Dibër dhe 1 në Vlorë; 2 rast te “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste, 2 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Braktisja e fëmijëve të mitur”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Kukës, 2 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 2 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjete pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.