Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 10 qershor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor “Asetet”, për identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale. Finalizimi i operacionit, pas një viti hetimesh intensive dhe komplekse. Vendosen sekuestro preventive ndaj pasurive të 2 shtetasve të huaj, të dy me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën 2.1 milionë euro. Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit policor “Asetet”, për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në funksion të procedimit penal të regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pas provave të grumbulluara gjatë një viti hetimi, finalizoi operacionin policor të koduar “Asetet”. Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në ngarkim të shtetasve: H. L., 50 vjeç, lindur në Junik, Kosovë dhe banues në Olten, Zvicër dhe R. (A.) S., 47 vjeç, lindur në Poloni, dhe banues në Olten, Zvicër. H. L. është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datë 26.11.2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme. Shtetasi R. (A.) S. është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Në bazë të materialeve të dërguara nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë bëri regjistrimin e procedimit penal, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”. Pas një pune të mirorganizuar të strukturave të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe plan-operacionit  “Asetet”, u bë e mundur që të sekuestrohen asete dhe llogari bankare në shumën 2.1 milionë euro, konkretisht: 3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë, njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë, sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë, asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave, llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane dhe 6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit. Vijon puna për të zbuluar asete (prona) të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo të bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.

Durrës – Vijojnë operacionet kundër krimeve mjedisore. Arrestohet në flagrancë një 52-vjeçar, për veprën penale “Ndotja e ajrit”. Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e krimeve mjedisore, specialistët e Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin R. D., 52 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas, i punësuar si administrator në një firmë private, është konstatuar duke hedhur një sasi të konsiderueshme me mbetje ushqimore, në lagjen nr. 14, Durrës, duke shkaktuar ndotje të ajrit. Materialet në ngarkim të shtetasit R. D. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

DVP Gjirokastër – Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Strukturat e Policisë po përdorin dronët për monitorimin e zonave të thella e pyjore. Gjatë kontrollit të territorit janë angazhuar 95 punonjës policie dhe tre dronë. Nga kontrollet me dronë nuk janë evidentuar raste të tentativës për kultivim të kanabisit. Kontrollet janë alternuar nga ajri dhe toka. Shërbimet policore që kontrolluan me këmbë, për disa orë, zonën e Këcyrës, konstatuan një rast të tentativës për kultivim të kanabisit dhe vunë në pranga shtetasin G. E., 59 vjeç, pasi në fshatin Mërtinjë, Këlcyrë, në pronën e këtij shtetasi u gjetën të kultivuar disa fidanë narkotikë. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan dhe 330 fishekë luftarakë të kalibrit 7.62 mm. Kontrolli i territorit do të vijojë pa ndërprerë, duke kontrolluar dhe në zonat më të largëta, falë përdorimit të flotës së dronëve dhe helikopterëve.

Durrës – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, njëri prej kryeplaku i fshatit Kuraten, si dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrollit masiv të territorit, në vendin e quajtur “Gryka e Xhafës”, në fshatin Shkafane, kanë konstatuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve u arrestuan shtetasit Z. D., 57 vjeç, banues në fshatin Kuraten, Ishëm, pronari i sipërfaqes së tokës, dhe B. V., 25 vjeç, banues në Shkafane, i dyshuar si kultivues i fidanëve narkotikë të gjetur gjatë kontrollit nga ana e Policisë. Gjithashtu u bë arrestimi i shtetasit U. D., 67 vjeç, me detyrë kryeplaku i fshatit Kuraten, Ishëm. Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve A. V., 24 vjeç, banues në fshatin Kuraten, Ishëm, dhe  A. F., 23 vjeç, banues në Thumanë, Krujë, pasi dyshohet se janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre”.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në pranga 13 shtetas, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim. Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: R. Xh., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Taxhedin Beholli”, gjatë kontrolli fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë narkotike e llojit kokainë; E. H., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Hasbi Serani”, gjatë kontrolli fizik dhe në banesën e këtij shtetasi, nga shërbimet e Komisariatit Nr. 6, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë narkotike e llojit kokainë, një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe një grirëse metalike me mbetje të lëndës narkotike cannabis sativa; S. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Kahreman Ylli”, gjatë kontrolli fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë narkotike e llojit heroinë. Nga specialistët për Hetimin e krimit të Komisariatit Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 21 vjeç, pasi ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një shtetase Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e krimit të Komisariatit Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. K., 48 vjeç, pasi në bulevardin “Bajram Curri”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tyre të mitur Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Z., 22 vjeç, pasi në rrugën “Njazi Meka”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po qarkullonte ky shtetas është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë (thikë) Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë është kapur dhe ndaluar shtetasi A. P., 27 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja” Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit: A. M., 49 vjeç, Rr. N., 26 vjeç dhe K. L., 27 vjeç pasi u kapën duke drejtuar mjetet pa leje drejtimi; D. B., 37 vjeç, pasi në Rrugën e Barrikadave, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të bërë testin e alkoolit me aparatin drager; E. H., 33 vjeç, pasi në rrugën “Shefqet Ndroqi”u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.54 mg/l; H. M., 49 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Dritan Hoxha”, ka aksidentuar shtetasin P. Z. (këmbësor), i cili ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. K., 33 vjeç, banues në fshatin Llakatund, Vlorë, pasi ka kanosur bashkëshorten dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj.

OFL, 10 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: E. Z., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim; G. F., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”; I. M., banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”; N. H. , banues në Shkodër, për të cilin ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 114 shtetas, konkretisht: 37 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 71 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje, 4 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Lezhë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 3 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 4 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 3 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të“Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.