Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 1 gusht 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Plagosi rëndë një shtetas, i cili si pasojë humbi jetën, vihet në pranga 51-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 ndaluan me iniciativë shtetasin A. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen. Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte në pjesën e qafës, duke i shkaktuar dëmtime në laring, fqinjin e tij, shtetasin N. S., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

DVP Elbasan – Ndezi zjarr në tokën e tij, për pasojë u dogj një sipërfaqe toke me pisha dhe disa pemë ulliri, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar. Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin: Y. M., 41 vjeç, banues në fshatin Kamunah, Cërrik, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me pisha dhe disa pemë ulliri në pronësi të shtetasit M. H. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë banorët, që për asnjë arsye të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Berat/Ndezi zjarr në tokën e tij, si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe e  konsiderueshme toke me pemë frutore dhe ullinj, vihet në pranga 62-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat, në vijim të punës për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, ndaluan shtetasin S. Xh., 62 vjeç, banues në Uznovë, Berat, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me pemë frutore dhe ullinj, në pronësi të shtetasve I. D. dhe Xh. H. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë banorët, që për asnjë arsye të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 43 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 15 janë arrestuar në flagrancë dhe 26 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 4 të arrestuar, 3 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste, me 5 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 2 të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim.

Janë plotësuar 4 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 rast me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve mjedisore, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar edhe 2 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Armëmbajtja pa leje”, me 1 autor të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Është shpallur në kërkim 1 shtetas, për veprën penale “Kanosja për hakmarrje”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 11 aksidente, me 16 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 8 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.