Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. S., 30 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë. Po nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. D., 20 vjeç, pasi dyshohej se drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike kanabis. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., 48 vjeç, pasi ditën e djeshme, në Shkozë, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin O. M., 30 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Th. A., 33 vjeç dhe I. Gj., 37 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; R. J., 19 vjeç dhe A. Xh., 20 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse; D. G., 50 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar. •Gjatë natës, në Rrugën e Kavajës, kanë vjedhur një aparat celular në dyqanin në pronësi të shtetasit R. L., 34 vjeç. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Fier, Roskovec – Vijojnë kontrollet masive në zbatim të planit të masave për kontrollin e ambienteve të mbyllura dhe të hapura, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga autori. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të planit të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë policore për një shtetas që dyshohej se kishte kultivuar bimë narkotike, është organizuar puna për kapjen e tij. Si rezultat është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 50 vjeç, banues në fshatin Kurjan, Roskovec. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të territorit në serën në pronësi të tij, në fshatin Kurjan, Policia gjeti të kultivuara bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Mallakastër – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër arrestuan shtetasin E. A., 40 vjeç, banues në Fier (Shef i sigurimit teknik pranë sektorit të dekantimit në një kompani nafte). Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në datën 03.05.2021, në fshatin Kash, Mallakastër, për shkak të mosmarrjes së masave të sigurimit teknik, në sallën e pompave të sektorit të dekantimit të kompanisë së naftës ka shpërthyer një pompë centrifugale, ka marrë flakë tubacioni dhe për pasojë është dëmtuar me djegie operatori i prodhimit, shtetasi V. B., 50 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Vlorë/Informacion paraprak – Rreth orës 13:05, në Triport, Zvërnec, ka rënë zjarr dhe është djegur një mjet lundrues, anije peshkimi, e ankoruar, në pronësi të shtetasit F. S., në të cilën po kryheshin riparime. Si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale. Nga hetimet paraprake rezulton se mjeti ka marrë flakë aksidentalisht. Vijon puna me grupin hetimor për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 46 shtetas, konkretisht: 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 32 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës ku autori është shpallur në kërkim dhe 1 në Vlorë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 2 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, si dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 11 raste, 5 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Shkodër, 2 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 rast ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, ndërsa në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 2 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 10 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.