Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Parandalimi”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr.1. Falë ndërhyrjes në kohë nga Policia parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri. Vihet në pranga një 30-vjeçar që tentoi të vriste me armë zjarri pronarin e një hoteli. Në pranga edhe një 30-vjeçare, për moskallëzim krimi, e cila shoqëronte 30-vjeçarin në momentin e konfliktit. Gjithashtu, në kërkim për moskallëzim krimi dhe fshehje të provave, edhe dy shokët e 30-vjecarit, të cilët i erdhën në ndihmë atij, gjatë konfliktit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë në ambientet e një hoteli, në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi”, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Parandalimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. S., 30 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”; E. D., 30 vjeçe, e cila shoqëronte shtetasin E. S., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: E. M., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe Xh. S., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Vijon puna intensive për kapjen e tyre. Shtetasi E. S., gjatë konfliktit në ambientet e hotelit, ka tentuar të vrasë me armë zjarri njërin nga pronarët e hotelit, shtetasin Z. Xh. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “NDALESA”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër. Vihen në pranga 2 shtetas, të cilët në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë të arrestuar 6 muaj më parë, kanë tentuar të kultivojnë bimë narkotike në një ambient të hapur në fshatin Këllëz. Në kuadër të punës hetimore për zbardhjen e rasteve të veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të narkotikëve, si rezultat i një pune policore dhe procedurale të pandërprerë disamujore, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “NDALESA”. Si rezultat i këtij operacioni është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasit H. B., 43 vjeç, banues në Gjirokastër dhe M. B., 66 vjeç, banues në fshatin Qesorat, Gjirokastër, pasi dyshohet se janë bashkautorë të ngjarjes së ndodhur në muajin gusht të vitit 2021, midis fshatit Këllëz dhe Dhoksat, Gjirokastër, në një ambient publik, ku u gjetën 1700 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Në muajin gusht të vitit 2021, në kuadër të këtij procesi hetimor, janë vënë në pranga 3 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas tjetër. Vijon puna për kapjen e tij. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 112 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 30 janë arrestuar në flagrancë dhe 74 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje në Lezhë dhe 1 rast në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar/ndaluar dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste: 2 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë/ndaluar dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas në Berat dhe është proceduar penalisht 1 shtetas tjetër, në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, në Vlorë.
Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për mitëdhënie, dhe 1 tjetër për falsifikim dokumentesh.
Në Fier janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente, me 1 viktimë dhe 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.