Raporti ditor i ngjarjeve, 9 maj 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit:

– A. C., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të vogla lëndësh të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis;

– L. T., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin M. X., 45 vjeç, banues në Tiranë, pasi është kapur duke vjedhur disa produkte në një market dhe gjatë shoqërimit ka kundërshtuar punonjësin e Policisë.  

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin K. E., 28 vjeç, banues në Babrru, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij. 

Në Komisariatin e Policisë Nr. 3 është paraqitur shtetasja F. I., 37 vjeçe, e cila ka bërë kallëzim se është larguar nga banesa, djali i saj, shtetasi E. B., 20 vjeç. Punohet për gjetjen e tij. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin R. L., 30 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjetën dhe iu sekuestruan një pajisje elektrike dhe një mjet prerës (elektroshok dhe biçak).

-Mbrëmjen e djeshme, në breg të detit, në zonën e Kavalishencës, është gjetur e pajetë, dyshohet e mbytur në ujë, shtetasja F. T., 69 vjeçe, banuese në Tiranë. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

-Mbrëmjen e djeshme, në fabrikën e tullave, në fshatin Luz, Fushë Krujë, është dëmtuar dyshohet gjatë procesit të punës, dhe është jashtë rrezikut për jetën, shtetasi G. Z., 24 vjeç, banues në fshatin Luz. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

-Gjatë natës, në fshatin Shënavlash, është dëmtuar dera e jashtme e një biznesi dhe një automjet i parkuar, pasi dyshohet se një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur një kapsollë detonatore. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 54 shtetas, konkretisht: 9 shtetas janë vënë në pranga, 39 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshdhe penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste-2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 5 raste -2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, për rastet e tjera-1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhënies ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 3 raste. Për zbardhjen e tyre dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, Policia vijon punën.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Fyerja” dhe “Shpifja”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar:

-2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë

-2 raste në fushën e mosbindjes/kundërshtimit ndaj punonjësit të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Goditje për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 raste i veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me autorë ende të paidentifikuar.

Për një rast të dyshuar të kryer më parë të veprës penale “Kallëzimi i rremë”, është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilave 4 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 8 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 7 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.