Raporti ditor i ngjarjeve, 8 shkurt 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pasaporta”.Operacioni, nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës.Iu siguroi 5 shtetasve turq, pasaporta bullgare false, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga një shtetas anglez që u kap duke i transportuar këta shtetas, me automjet.Arrestohen edhe 5 shtetasit turq, pasi tentuan të dilnin nga vendi ynë, duke përdorur pasaportat false.Si rezultat i kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, ndaj shtetasve dhe mjeteve që hyjnë apo dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke përdorur pajisje dedektuese bashkëkohore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Pasaporta”, është goditur një rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, përmes dokumenteve false, dhe në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, janë vënë në pranga:-shtetasi anglez J. S., 41 vjeç dhe shtetasit turq: M. K., 29 vjeç, M. D., 23 vjeç, A. A., 19 vjeç, H. K., 20 vjeç dhe M. H., 31 vjeç.Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në dalje të RSh-së, kanë ndaluar për kontroll, automjetin me drejtues shtetasin J. S., ku kanë parë 5 shtetasit turq, të cilët transportoheshin nga 41-vjeçari, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, të 5 shtetasve turq iu gjetën pasaporta bullgare false, të cilat dyshohet se janë siguruar nga shtetasi J. S., për t’i kaluar këta 5 shtetas, drejt vendeve të BE-së.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

DVP Gjirokastër-Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin J. Gj., 36 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka dalë jashtë banesës së tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.Gjithashtu, nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, në ngarkim të shtetasit M. Ç., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vajzës së tij të mitur.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhuna në familje”, në ngarkim të shtetasit H. K., 46 vjeç, banues në Tepelenë, pasi ka bërë kallëzim ish-bashkëjetuesja e tij, se ky shtetas ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë-Vihet në pranga drejtuesi i automjetit që aksidentoi një 75-vjeçare, e cila për shkak të dëmtimeve, ndërroi jetë në spital, ditën e djeshme.Pas testimit me aparatin AquilaScan, drejtuesi i automjetit ka rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike.Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë shtetasin M. A., 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, rreth orës 16:00, duke drejtuar automjetin, në bulevardin “Zhan D’Ark”, ka aksidentuar shtetasen D. K., 75 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila më pas ka ndërruar jetë, në spital.Pas testimit me aparatin AquilaScan, ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, shtetasi M. A., ishte nën efektin e lëndëve narkotike.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Shkodër-Finalizohet nga DVKM Shkodër dhe nga DVP Shkodër, operacioni policor i koduar “Bashkëpunëtorët”.Transportonin emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm drejt BE-së, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.Strukturat e DVKM Shkodër dhe ato të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Shkodër, të mbështetura nga inteligjenca informative, për një rast të transportimit të shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bashkëpunëtorët”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:-A. L., 24 vjeç dhe E. M., 23 vjeç, të dy banues në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe.Në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, këta 2 shtetas u kapën në flagrancë teksa zbritnin nga automjeti me drejtues 24-vjeçarin, 5 emigrantë të cilët po transportoheshin drejt Malit të Zi, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Pogradec/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Pasagjeri”.Operacioni u finalizua pas hetimeve trejavore nga Komisariati i Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë së Pogradecit, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.Transportonte lëndë narkotike, ndërkohë që udhëtonte si pasagjer në një mjet të transportit publik, vihet në pranga 37-vjeçari.Vihen në pranga edhe 2 shtetas që bashkëpunonin me 37-vjeçarin, për ta shitur lëndën narkotike, në qytetin e Pogradecit. Shpallet në kërkim 1 bashkëpunëtor tjetër.Gjatë kontrollit të banesës, njëri nga të arrestuarit tentoi të digjte celularin e tij, me qëllim që të zhdukte provat.Sekuestrohen 52.7 gramë heroinë dhe 3 celularë.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, pas hetimeve trejavore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Pasagjeri”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:  A. K., 37 vjeç, M. Ll., 37 vjeç, K. N., 35 vjeç, banues në Pogradec. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi M. B., 43 vjeç, banues në Elbasan.Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se disa shtetas ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, në qytetin e Pogradecit, shërbimet e Policisë organizuan veprimet dhe bënë lokalizimin e shtetasit A. K., i cili kryente transportimin e lëndës narkotike, nga qyteti i Elbasanit në drejtim të Pogradecit, ndërkohë që udhëtonte si pasagjer në një automjet (furgon) të transportit publik, të linjës Elbasan-Korçë.Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën 52.7 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Nga veprimet heimore dyshohet se shtetasi M. B. (i shpallur në kërkim) siguronte lëndën narkotike, ndërsa 2 shtetasit e tjerë M. Ll. dhe K. N., pasi merrnin sasinë e drogës nga 37-vjeçari A. K., e shpërndanin atë në doza të vogla, në Pogradec.Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në banesën e shtetasit K. N., ky shtetas ka tentuar të djegë celularin e tij, me qëllim që të zhdukte provat për këtë veprimtari kriminale.Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Pages”.Ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, në lokalin e tij, vihet në pranga 30-vjeçari. Procedohet penalisht dhe një punonjës i këtij lokali.Sekuestrohen 1 kompjuter dhe 1 aparat celular.Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pages”.Gjatë këtij operacioni, është ushtruar kontroll në një lokal, në rrugën “Besim Alla”. Gjatë kontrollit në lokal, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një kompjuter dhe një aparat celular, në të cilët ishin të hapura faqe bastesh sportive.Në përfundim të veprimeve për këtë rast u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi M. T., 29 vjeç, dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. V., 20 vjeç, punonjës në këtë lokal.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kompjuteri dhe aparati celular.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 17 shtetas janë vënë në pranga, 50 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste-3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 2 raste-3 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa per rastet e tjera- 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar edhe 4 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 10 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilave vijon punën Policia, ndërsa për rastet e tjera-5 shtetas janë vënë në pranga, 7 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 9 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Vetëgjyqësia”, “Shpërdorimi i kompentencave”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, me 5 të proceduar në total, në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave 1 shtetase ka humbur jetën dhe 2 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.