Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Neutralizimi”.Iu drejtoi pistoletën punonjësve të Policisë, që të shmangte arrestimin, pasi e ndaluan për kontroll, teksa lëvizte me automjet, neutralizohet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.Sekuestrohet pistoleta me fishekë në fole, e gatshme për qitje.Pas testit të alkoolit, 41-vjeçari rezultoi në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në kuadër të kontrolleve të shtuara gjatë natës, në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Neutralizimi”.Në kuadër të këtij operacioni, në Shëngjin, në mesnatë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi L. Z., i cili ka krijuar dyshime tek punonjësit e Policisë, nga përgjigjet dhe sjellja e tij. Për këtë shkak, është informuar se do t’i kryheshin kontrolle fizike dhe kontrolle në automjet, si dhe testi i alkoolit. Në atë moment, ky shtetas ka kundërshtuar kryerjen e veprimeve procedurale duke nxjerrë një armë zjarri që mbante me vete dhe ua ka drejtuar punonjësve të Policisë, me qëllim që të largohej dhe të shmangte arrestimin.Ndërhyrja e menjëhershme dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, ka bërë të mundur neutralizimin e menjëhershëm të shtetasit L. Z., i cili pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me fishekë në fole, e gatshme për qitje, që mbahej pa leje nga ky shtetas.Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin L. Z., 41 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Korçë-Kanosi me armë zjarri, një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga 49-vjeçari me precedent të mëparshëm penal.Sekuestrohet arma e zjarrit tip pistoletë.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 15, Korçë, në një lokal, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri pronarin e lokalit, gjatë një konflikti midis tyre, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:- J. P., 49 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri një 50-vjeçar, në lokalin e këtij të fundit. Në vijim të veprimeve për këtë rast, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e 49-vjeçarit J. P., u gjetën një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Muriqan/Transportonte drejt një vendi të BE-së, një shumë të madhe parash që e kishte fshehur në autobusin që drejtonte, procedohet penalisht 35-vjeçari.Sekuestrohet shuma 48 100 euro, që ky shtetas nuk e deklaroi në kufi, sipas përcaktimeve ligjore.Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, në kuadër të planit të masave të hartuar nga DVKM Shkodër, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë ndaluar për kontroll të detajuar autobusin e një linje transporti ndërkombëtar, me drejtues shtetasin R. A.Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë gjetur 48 100 euro, të cilat drejtuesi i automjetit, shtetasi R. A., i kishte fshehur në një çantë, me qëllim që të mos i deklaronte sipas përcaktimeve ligjore. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. A., 35 vjeç, banues në Shijak, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave ose i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Kuçovë-Goditi me sende të forta, një shtetas të moshuar, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga 35-vjeçari.Ky shtetas kundërshtoi me dhunë punonjësin e Policisë që kishte shkuar në vendngjarje për të neutralizuar konfliktin.Menjëherë pas marrjes së njoftimit, se në lagjen “Tafil Skëndo”, Kuçovë, në dyqanin e tij, shtetasi F. V. kishte goditur me sende të forta, shtetasin L. Xh., 70 vjeç, është organizuar puna, me qëllim neutralizimin e këtij konflikti që kishte si motiv, publikimin në rrjetet sociale, të 70-vjeçarit dhe djalit të tij, nga shtetasi F. V. Ky shtetas, gjatë shoqërimit, ka kundërshtuar me dhunë, punonjësin e Policisë që kishte shkuar në vendngjarje për të neutralizuar konfliktin.Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me specialistët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Beratit, arrestuan në flangrancë shtetasin F. V., 35 vjeç, banues në Kuçovë, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Espresso”.Furnizonte dyqane të ndryshme, me pako me kafe, të dyshuara të kontrabanduara dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet, vihet në pranga 39-vjeçari.Sekuestrohen 400 kg kafe e dyshuar e kontrabanduar dhe 7 pajisje për përpunimin e kafesë.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që furnizonte disa dyqane, me kafe të dyshuar të kontrabanduar, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Espresso”.Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Unazë të Madhe, automjetin me drejtues shtetasin A. M. Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 400 kg kafe të dyshuar të kontrabanduar, të ndarë në pako, me të cilat ky shtetas furnizonte disa dyqane, në zona të ndryshme të Tiranës. Sasia e kafesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 7 pajisje që shërbejnë për përpunimin e saj.Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Durrës-Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin E. N., 27 vjeç, banues në Durrës, si dhe referuan materialet në Prokurori, për shtetasen Xh. H., 25 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.Mbrëmjen e djeshme, këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetas tjetër (i infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (shtetasja Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro.Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë, dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.Policia e Durrësit falënderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 66 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 43 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste-2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste-2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 4 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 6 shtetas të vënë në pranga
Për veprat penale dhe objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, është evidentuar 1 rast- 2 shtetas janë vënë në pranga.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 5 raste, vijon puna për kapjen dhe vënien në pranga të autorëve të tyre.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste- 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të veprave penale në fushën e mosbindjes/kundërshtimit të punonjësve të Policisë, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe nga një rast i veprave penale: “Shtytja e të miturve në krim”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim; “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe “Goditje për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave 5 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 8 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.