Raporti ditor i ngjarjeve, 27 gusht 2025

Raporti ditor i ngjarjeve, 27 gusht 2025

Policia e Shtetit

Finalizohen 3 operacione të tjera nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohen operacionet policore të koduara “Operacionalja 61”, “Operacionalja 62” dhe “Operacionalja 63”. Vihen në pranga 3 shtetas të cilët akuzohen nga autoritetet italiane, si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara, kapën gjatë 3 operacioneve të zhvilluara në qarkun e Fierit, 3 shtetas të kërkuar nga autoritetet italiane, konkretisht:

-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 61”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 24 vjeç, banues në Fier;

-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 62” u kap dhe u vu në pranga A. M., 29 vjeç, banues në Fier;

-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 63” u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. F., 22 vjeç, banues në Fier.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Riminit, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i  narkotikëve”. Maksimumi i dënimit: 10 vjet burgim.

Ata akuzohen se gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë blerë sasi të mëdhaja droge, me qëllim shitjen në qytetin e Riminit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.

Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Tuneli”.

U kap në flagrancë duke transportuar 2 armë zjarri kallashnikov, nga Burreli në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale, vihet në pranga një 22-vjeçari.

Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, 4 krehra për to, automjeti dhe celulari i 22-vjeçarit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi: A. D., 22 vjeç, banues në Burrel.

Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, arrestuan shtetasin A. S., 51 vjeç, banues në fshatin Fushë-Çidhen, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij të mitur dhe ish-bashkëshortes së tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin Sh.B., 39 vjeç, banues në Burrel, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S.H., 47 vjeç, banues në Klos, pasi për motive pronësie, dyshohet se ka kanosur me fjalë dhe ka ofenduar shtetasit P.Gj, M.Gj.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë  Dibër dhe Mat,  referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit: Z.Z., 67 vjeç, banues në Dibër; B.P., 50 vjeç, banues në Ulëz, pasi u konstatuan duke kryer punime ndërtimi pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

A.D., 24 vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës dhe për një 14-vjeçar, pasi dyshohet se më datë 25.04.2025, 14-vjeçari ka vjedhur një biçikletë, në lagjen “Vasil Shanto”, ndërsa shtetasi A. D. dyshohet se e ka shtytur 14-vjeçarin dhe ka bashkëpunuar me të, për të kryer këtë vjedhje dhe për vjedhjen e disa biçikletave të tjera, në qytetin e Shkodrës;

-A.H. dhe E.F., pasi u konstatua se kishin kryer punime ndërtimi, pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, ka kallëzuar shtetasi E. Sh., 43 vjeç, se ka hyrë në oborrin e banesës së tij, shtetasi Gj. Sh., 42 vjeç.

Shërbimet e DVKM Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. Q., 31 vjeç dhe P. R., 53 vjeç, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Informacione paraprake

-Në orët e para të mëngjesit, në aksin rrugor “Shkodër-Velipojë”, shtetasi J. H., 20 vjeç, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë 3 pasagjerët në automjet, të cilët janë në kujdesin e mjekëve. Me shtetasin J. H. po kryhen veprimet procedurale;

-Në orët e para të mëngjesit, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, është djegur automjeti i shtetasit L. P., i parkuar pranë banesës së tij, në fshatin Vukpalaj. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Fier

Finalizohet operacioni policor i koduar “Liquid”. Goditet 1 rast në fushën e kontrabandës së mallrave.

Magazinonin dhe tregtonin lëndë hidrokarbure të dyshuara të kontrabanduara, vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Liquid”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në aksin rrugor “Fier-Mbrostar”, autobotin me drejtues shtetasin B. D., i cili po transportonte lëndë hidrokarbure, të pashoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Nga veprimet hetimore rezultoi se autoboti ishte ngarkuar me lëndë hidrokarbure në një ambient në pronësi të shtetasit M. M. dhe se do të magazinohej në një ambient në pronësi të shtetasit E. R.

Në përfundim të veprimeve:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit B. D., 49 vjeç, banues në Patos dhe M. M., 58 vjeç, banues në Fier;

-u shpall në kërkim shtetasi E. R., 34 vjeç, banues në Fier.

Autoboti dhe lënda hidrokarbure u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, “Ruajtja dhe magazinimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

DVP Durrës

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin V. D., 52 vjeç, banues në Britaninë e Madhe, pasi mbrëmjen e djeshme, ka qarkulluar me automjet në bulevardin “Epidamn”, ku po zhvillohej një aktivitet. Pasi u ndalua nga shërbimet e Policisë, iu bë testi i alkoolit dhe rezultoi në gjendje të dehur.  Ky rast  është publikuar edhe në rrjetet sociale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit D. Y., 41 vjeç dhe B. Y., 46 vjeç (vëllezër), të dy banues në Durrës, pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit, për motive të dobëta. Gjithashtu, shtetasi B. Y. ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, si dhe ka dëmtuar me sende të forta automjetin e vëllait të tij.

Në Komisariatin e Policisë Durrës kanë kallëzuar shtetasit:

T.K., 53 vjeç, banues në Durrës, se më datë 25.08.2025, është larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja S. K., 42 vjeçe;

V.B., 49 vjeçe, banuese në Durrës, se më datë 16.08.2025, është larguar nga banesa, vëllai i saj, shtetasi M. B., 38 vjeç, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Punohet për gjetjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve:

 -arrestuan shtetasin e mitur 16 vjeç, pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 i gjetën një sasi me lëndë të dyshuar narkotike Kanabis;

-arrestuan shtetasin L. D., 31 vjeç, pasi shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kapën dhe ekzekutuan vendimin e Gjykatës për shtetasin F. D(P).,29 vjeç, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qendrimit”. Gjatë kontrollit të banesës iu gjet municion luftarak dhe pjesë arme të dyshuara zjarri.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin J. D., 39 vjeç, pasi ka goditur me grushte 2 shtetase.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

 -F.I., 50 vjeç dhe D.H., 51 vjeç, pasi ditën e djeshme shtetasi S. L., 39 vjeç, ka rënë nga lartësia duke punuar në një kosh të një mjeti industrial i firmës me administrator 50-vjeçarin dhe drejtues mjeti 51-vjeçarin. Aktualisht 39-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve;

-F.K., 19 vjeç, pasi për motive të dobëta ka kanosur si dhe i ka dëmtuar pasqyrën e automjetit shtetasit S. Ç.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor:

-arrestuan shtetasin B.T., 40 vjeç, pasi automjeti të cilin dyshohet se e drejtonte në gjendje të dehur është përfshirë në një përplasje me deme materiale me automjetin me drejtues shtetasin J. H;

-arrestuan shtetasin E.E., 43 vjeç, pasi në rrugën “Ibrahim Rugova” me automjetin që drejtonte ka aksidentuar biçikletën në të cilën po lëvizte shtetasi R. T., 59 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Gj. P., 65 vjeç, pasi me automjetin e tij ka përplasur këmbësorët shtetasit P. B dhe R. D. Shtetasi P. B pas mjekimit kaloi për në banesë ndërsa shtetasi R.D ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

-me datë 26.08.2025, shtetasi F. M., 55 vjeç, kallëzoi se është kanosur me mesazhe në rrjetin e tij social nga një person i panjohur nga ana e tij. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-K.S., 73 vjeçe, pasi dje, në fshatin Mlizë, ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina dhe nga përhapja e flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe barishte;

-E.M., 55 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij;

-N.L., 25 vjeç dhe E.N., 47 vjeçe, pasi dyshohet se kanë goditur me sende të forta një 64-vjecar, për motive pronësie.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. P., 54 vjeç, pasi ka shpërdoruar një pjesë toke në fshatin Marinës, duke hapur një gropë, pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin B. H., 52 vjeç, pasi ka kallëzuar një 45-vjeçar, se është dëmtuar toka e tij në fshatin Lënie, gjatë punimeve për ndërtimin e HEC, nga kompania e ndërtimit e shtetasit B. H.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen E. M., 25 vjeçe, pasi në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, automjeti që ajo drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin gjerman I. M., 36 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar lehtë 2 pasagjerë në automjetin me drejtuese shtetasen E. M..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:

-E.H., 27 vjeç, banues në Cakran dhe E. S., 35 vjeç, banues në Lushnjë, pasi janë kapur duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur;

-A.K., 24 vjeç, banues në Dushk, pasi dje, në fshatin Dushk, duke drejtuar automjetin, ka përplasur një shtetas të mitur, i cili është në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. F., 48 vjeçe, banuese në Portëz,  pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të bashkëshortit të saj, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. M., 48 vjeç dhe për një shtetas 17 vjeç, pasi për motive të dobëta, kanë kanosur një shtetas 24 vjeç. Gjatë kontrollit, 17-vjeçarit iu gjet një armë sportive pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Çlirimi”, dyshohet se për shkak të mbingarkesës elektrike në kabinën e një pallati, ka rënë zjarr në katin zero. Nga zjarri u shkaktuan dëme të vogla materiale dhe u asfiksuan nga tymi, 2 shtetas, të cilët morën asistencë mjekësore në spital dhe u kthyen në banesë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin B. S., 47 vjeç, banues në Ferizaj, Kosovë, pasi u kap në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-M.Sh., 18 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash nga automjeti në pronësi të shtetasit britanik J. B., 39 vjeç;

-D.N., 49 vjeç, banues në fshatin Tale, pasi ka kallëzuar shtetasi Gj. N., 69 vjeç, banues në Shënkoll, se shtetasi D. N. e ka goditur me grushte, gjatë një konflikti për motive pronësie.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit:

-E.K., 39 vjeç, banues në fshatin Thumanë, pasi ka kanosur me fjalë shtetasin E. C., 24 vjeç, banues në Mamurras, për motive të dobëta;

-V.Gj., 45 vjeç, banues në Kurbin, pasi ka kallëzuar bashkëshortja e tij 38 vjeçe, se ai ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj. Kallëzuesja u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. P., 65 vjeç, banues në Rubik, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa leje.

Dje, ka kallëzuar shtetasi K. Ll., 48 vjeç, banues në Delbnisht, Kurbin, se shtetasi N. Ll., 58 vjeç, banues në Delbnisht, i ka bllokuar rrugën para dyqanit të tij, duke hapur një gropë dhe duke vendosur disa automjete. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Lezhë/Informacion paraprak

Në Urgjencën e Spitalit Rajonal Lezhë është dërguar shtetasi B. H., 46 vjeç, banues në Tale, Lezhë, i cili dyshohet se ka konsumuar Fotoksinë.

Ky shtetas është dëguar për trajtim më të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq ndaluan shtetasin K. G., 31 vjeç, banues në Maliq, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka vjedhur disa vegla pune, në banesën e një 67-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë ndaluan me iniciativë një 17-vjeçar, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur”, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 13-vjeçare.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. S., 35 vjeç, banues në Korçë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar automjetin.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për aksidentin e ndodhur në Voskopojë, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasja A. D., 53 vjeçe, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit që dyshohet se e aksidentoi, shtetasin F. H., 73 vjeç, banues në Korçë.

Gjithashtu, këta specialistë:

-arrestuan në flagrancë shtetasin D. H., 35 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi;

-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin V. T., 18 vjeç, banues në Michigan, pasi në aksin rrugor “Rehovë-Ersekë”, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë drejtuesi i automjetit dhe 3 pasagjerët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.