Raporti ditor i ngjarjeve, 24 shkurt 2023
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tropojë/Strukturat e DVP Kukës, kontrolle për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme. Sekuestrohen 276 kilogramë lëndë plasëse dhe 290 kapsolla detonatore elektrike, që mbaheshin jashtë kushteve të sigurisë, në një subjekt minerar. Vihen në pranga administratori dhe drejtuesi teknik i subjektit për nxjerrjen e minerareve. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme, kanë ushtruar kontroll në një subjekt minerar në vendin e quajtur “Kepenek”. Gjatë kontrollit në ambientet e këtij subjekti minerar, shërbimet e Policisë kanë gjetur 276 kilogramë lëndë plasëse dhe 290 kapsolla detonatore elektrike që mbaheshin jashtë rregullave të përcaktuara për mbajtjen e tyre. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, shtetasit: Xh. K., 32 vjeç, administrator i subjektit për nxjerrjen e minerareve dhe D. P., 56 vjeç, drejtues teknik i këtij subjekti. Strukturat e DVP Kukës do të vijojnë kontrollet për të verifikuar pajisjen me licencë të subjekteve të tjera që ushtrojnë këtë aktivitet, si dhe zbatimin e rregullave të përcaktuara për mbajtjen e lëndëve plasëse, djegëse dhe radioaktive. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë-Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u bë ndalimi i shtetasit M. N., 22 vjeç, banues në Finiq, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhi një panel diellor, në banesën e shtetasit K. R., në fshatin Finiq. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. P., 36 vjeç, pasi dyshohet se ka hedhur mbetje inerte, në tokë publike, në anë të liqenit të Butrintit. Specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin V. H., 69 vjeç, banues në Vlorë, pasi është kapur duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Rreth orës 07:10, në rrugën Vlorë-Kuç, ka marrë flakë, në ecje e sipër, automjeti tip “Nisan” me drejtues shtetasin A. K. Nga flakët janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të një defekti në mjet. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Tiranë/Zbardhet shkaku i vdekjes së 48-vjeçarit që u gjet i pajetë në datën 13.02.2023, në afërsi të përroit të Limuthit, në Bërxullë. Nga veprimet hetimore dyshohet se 48-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë kohës që ka qenë duke konsumuar droga të forta, bashkë me shokun e tij, në banesën e këtij të fundit. Vihet në pranga shtetasi M. H. (shoku i 48-vjeçarit), pasi nuk kallëzoi në Polici, për ngjarjen, dhe transportoi trupin e pajetë të shokut të tij, nga banesa në afërsi të përroit të Limuthit. Sekuestrohen sende që dyshohet se janë përdorur nga këta shtetas, për konsumimin e lëndëve narkotike, në banesë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e trupit të pajetë të 48-vjeçarit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës në DVP Tiranë, pas ngjarjes së ndodhur në datën 13.02.2023, në afërsi të përroit të Limuthit, në Bërxullë, ku u gjet një kufomë e seksit mashkull, më një dokument identifikimi me gjeneralitetet E. T., 48 vjeç, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. T., 48 vjeç ka ndërruar jetë gjatë kohës që ka qenë duke konsumuar lëndë narkotike kokainë dhe heroinë, bashkë me shokun e tij, shtetasin M. H., 47 vjeç, në banesën e këtij të fundit. Më pas dyshohet se shtetasi M. H. e ka transportuar me automjet dhe e ka lënë trupin e pajetë të 48-vjeçarit, në afërsi të përroit të Limuthit, në fshatin Bërxull, Tiranë. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. H., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar sende që dyshohet se janë përdorur për konsumimin e lëndëve narkotike dhe automjeti i përdorur nga shtetasi M. H., për transportimin e trupit të pajetë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 55 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste-2 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 2 raste-2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste-1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 3 raste-3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 8 raste-2 shtetas janë arrestuar, 4 shtteas janë shpallur në kërkim, ndërsa për 4 rastet e tjera po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste-8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë,
Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”-7 shtetas janë arrestuar, 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Për vepra penale të kundërshtimit të punonjësve të policisë apo të personave të tjerë që kryejnë detyra të tjera shtetërore janë evidentuar 5 raste-2 shtetas janë arrestuar, 6 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 4 janë shpallur në kërkim.
Është evidentuar 1 vepër penale në fushën e lojërave të fatit-1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Korrupsioni aktiv”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”- 1 shtetas është procduar penalisht, për secilin rast.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”-1 shtetas është arrestuar.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”-2 shtetas janë vënë në pranga.
Janë evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Largimi ni të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Përndjekja”-1 shtetas është shpallur në kërkim, për secilin rast.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilave janë dëmtuar 4 shtetas. Janë evidentuar në total 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor-10 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.