Raporti ditor i ngjarjeve, 15 shtator 2023
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Fier/Finalizohet operacioni policor i koduar “Stadi”, për goditjen e njëkohshme të disa veprimtarive kriminale. Sekuestrohen 12 100 fara të cannabis sativës, fishekë luftarak dhe një armë e ftohtë, si dhe asgjësohen disa bimë narkotike. Posedonte dhjetëramijëra fara të bimës cannabis sativa, me qëllim kultivimin dhe shitjen e tyre, si dhe kishte kultivuar në vazo, disa bimë narkotike, arrestohet në flagrancë 29-vjeçari. Gjatë kontrolleve, të arrestuarit iu gjetën dhe fishekë luftarak, si dhe një dorezë metalike. Në vijim të punës së Policisë, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë siguruar informacion se një shtetas kryente disa veprimtari kriminale, në banesën e tij, në lagjen “Kryengritja”. Në bazë të këtyre informacioneve u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Stadi”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi F. Sh., 29 vjeç. Gjatë kontrolleve në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 12 100 fara të dyshuara të bimës narkotike cannabis sativa, fishekë luftarakë dhe një dorezë metalike. Gjithashtu, nga kontrollet u konstatua se ky shtetas kishte kultivuar në vazo, 17 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Sarandë – Finalizohet operacioni policor i koduar “One”, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët. Fshihte në banesë, një armë zjarri pistoletë dhe fishekë për të, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 18-vjeçari. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, municioni luftarak, si dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë. Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm me qytetarët, për të përmbushur objektivat e përbashkët, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë organizuar operacionin policor të koduar “One”, për kapjen e një shtetasi që mbante armë zjarri në banesë. Gjatë operacionit, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi E. Sh., 18 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në lagjen nr. 1, Sarandë, Policia gjeti të fshehur një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat posedoheshin nga ky shtetas, pa leje, si dhe një sasi të vogël lënde narkotike kokainë. Arma, fishekët dhe lënda narkotike kokainë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit/Operacione të njëpasnjëshme, të koordinuara me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht. Finalizohet operacioni policor i koduar “Provinca”, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSH, FAST Albanias dhe zyrës së Interforcës italiane, në Shqipëri. Vrau me armë zjarri, një shtetas shqiptar, rreth 1 vit më parë, në Itali, kapet në afërsi të Fushë Krujës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 41-vjeçari. Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe zyrës së Interforcës italiane, në Shqipëri, për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të shtetit tonë ose të Italisë, specialistët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSH, dhe ata të njësisë FAST Albania, finalizuan operacionin policor të koduar “Provinca”. Në kuadër të këtij operacioni, në afërsi të Fushë Krujës, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi Sh. K., 41 vjeç. 41-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi më datë 18.08.2022, në vendin e quajtur “Castelnuova val di Cecina”, në provincën Piza, Itali, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri, shtetasin shqiptar E. K. Vijojnë veprimet procedurale për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali, ku dënimi për këtë vepër penale është maksimumi 30 vjet burgim.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 140 shtetas, konkretisht: 64 shtetas janë vënë në pranga, 66 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 17 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera – 10 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 55 raste – 49 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 5 raste – 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste-1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 4 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastin tjetër është vënë në pranga 1 shtetas. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, autori i të cilit është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 8 raste, 1 rast me autor të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 8 raste, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 veprës penale “Mashtrimi”, 1 rast i veprës penale “Mjekimi i pakujdesshëm” dhe 1 rast i veprës penale “Ngacimi seksual”, me nga 1 shtetas të proceduar për secilin rast.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 1 rast i veprës penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”, me 5 shtetas të proceduar në total.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente, si pasojë e të cilave janë dëmtuar 2 shtetas. Janë evidentuar në total 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor – 8 shtetas janë vënë në pranga, 11 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.