Raporti ditor, 3 nëntor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër-Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim, arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim R. M., 58 vjeç, banues në Gjirokastër.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në datën 22.09.2022, në biznesin e tij, në lagjen “Kodra e Shtufit”, Gjirokastër, u konstatua ndërhyrje në matësin e energjisë elektrike.

-Gjithashtu, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër u arrestua në flagrancë shtetasi R. B., 53 vjeç, banues në fshatin Zenelaj, Gjirokastër, pasi dyshohet se i ka vjedhur shtetasit Th. Ll., bagëti të imëta, në fshatin Odrie, Gjirokastër.

-Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, në ngarkim të shtetasit S. L., 21 vjeç, banues në fshatin Erind, Gjirokastër.Në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër, shtetasi S. L. u kap duke drejtuar pa dokumentacionin përkatës, automjetin tip “Volksëagen”, në të cilin, gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë sportive, 1 stemë policie dhe 2 maska.Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë-Ushtronte aktivitetin e përpunimit dhe të tregtimit të mishit, në një magazinë, duke mos zbatuar kushtet higjeno-sanitare, vihet në pranga 52-vjeçari.Sekuestrohen rreth 450 kg mish pule.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas informacioneve të siguruara se në një magazinë, në rrugën “Myslym Keta”, një shtetas përpunonte dhe tregtonte mish, pa u regjistruar në organet kompetente, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në ambientet e magazinës.Nga kontrolli i ushtruar dhe nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi B. H., banues në Tiranë, përpunonte dhe tregtonte mish, në magazinën e tij, në rrugën “Myslym Keta”, jashtë të gjitha kushteve higjeno-sanitare.Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 52 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 450 kg mish pule.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Kurbin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Game over”, për goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit.Zbulohet një ambient ku organizoheshin lotari të palejuara, përmes kompjuterave.Vihen në pranga 2 shtetasit që e bashkadministronin këtë ambient, si dhe sekuestrohen 7 kompjutera që i shërbenin këtij aktivitetit të paligjshëm e shuma parash të përfituara prej tij.Në vijim të kontrolleve intensive dhe të pandërprera, të ushtruara në lokale dhe ambiente të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Game over”, si rezultat i të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:-K. H. 29 vjeç dhe A. S. 44 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, kryer në bashkëpunim.Të dy këta shtetas administronin një ambient ku organizoheshin lotari të palejuara, përmes kompjuterave. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 7 kompjutera që dyshohet se i shërbenin këtij aktivitetit të kundërligjshëm, si dhe shuma parash që dyshohet se të arrestuarit i kishin përfituar nga ky aktivitet.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Informacion paraprak-Plagosi me mjet prerës (thikë), një shtetas, shoqërohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, autori i dyshuar.Paraditen e sotme, në lagjen “Uji i Ftohtë”, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi N. Zh. ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin K. Sh. (të dy punonjës të OSHEE-së).Shtetasi K. Sh. ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasi N. Zh. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 107 shtetas, konkretisht: 13 janë ndaluar, 17 janë arrestuar, 75 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar dhe me 9 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprave penale në fushën e armëmbajtjes pa leje, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 8 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar një rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të ndaluar.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 7 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rasti i “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, me 3 shtetas të arrestuar; 11 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 21 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 2 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i “Dhunimi i varreve”, me 1 shtetas të arrestuar; 1 rast i “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, 1 rast i “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të ndaluar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilëve 1 shtetas ka humbur jetën dhe 4 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat policore, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.