Raporti ditor, 28 tetor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Elbasan-Konfiskohen pasuri me vlerë 3 milionë euro, në pronësi të një shtetasi me precedentë kriminalë në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë dhe Shqipëri.Finalizohet operacioni policor i koduar “Fasada 3”.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fasada 3”, kanë konfiskuar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e shtetasit E. Sh., 31 vjeç, banues në Peqin.Shtetasi E. Sh. është dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, për trafikim të lëndëve të forta narkotike dhe për mbajtje të armëve ofensive, është arrestuar në Amsterdam, Holandë, për trafikim të narkotikëve, si dhe është dënuar në Shqipëri, për mbajtje pa leje të armeve luftarake dhe falsifikim të dokumenteve.Konkretisht, në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur konfiskimi i pasurive si më poshtë:Pjesë toke (kullotë) me sipërfaqe 45 000 m2,  në fshatin Gjilek, Himarë; 1 apartament me sipërfaqe 130 m2, në Tiranë; 2 garazhe me sipërfaqe 230 m2, në Tiranë;  1 vile dykatëshe me sipërfaqe 500 m2, në Peqin; 1 apartament me sipërfaqe 111 m2, në Kryevidh, Kavajë.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

DVP Korçë/Vijon operacioni policor “Perimetri 197”.U kapën duke transportuar 9 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, vihen në pranga 2 shtetas.Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. P., 19 vjeç dhe i shtetases M. P., 19 vjeçe, banues në Kamzë, Tiranë.Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në lagjen nr. 16, Korçë, automjetin tip “Opel”, me drejtues shtetasin K. P. dhe pasagjere shtetasen M. P., për të cilët, në bazë të informacioneve të siguruara, dyshohej se transportonin emigrantë të paligjshëm. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjetën 9 emigrantë të paligjshëm, të cilëve 2 të arrestuarit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pedalet”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë.Vidhte biçikleta, në mënyrë të përsëritur, duke u bërë shqetësim për qytetarët, falë bashkëpunimit me ta, identifikohet dhe vihet në pranga 36-vjeçari dhe sekuestrohen biçikletat e vjedhura.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë administruar dhe ndjekur menjëherë, një sërë denoncimesh të marra nga qytetarët e qarkut të Durrësit se një shtetas i paidentifikuar vidhte biçikleta, në mënyrë të përsëritur dhe si rezultat i veprimeve hetimore dhe policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Pedalet “, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:-B. M., 36 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur biçikletën e një shtetasi.Në kuadër të këtij operacioni u bë gjithashtu dokumentimi i 2 vjedhjeve të tjera, autori i të cilave dyshohet të jetë shtetasi B. M., konkretisht, në datat 10 qershor dhe 27 tetor të këtij viti, 36-vjeçari ka vjedhur biçikletat e 2 shtetasve, në lagje të ndryshme të qarkut të Durrësit.Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga ky shtetas.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 31 janë arrestuar, 43 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 6 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste, njëri prej të cilëve mbetur në tentativë, me 1 shtetas të arrestuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijojnë punën strukturat e Policisë dhe me 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprave penale në fushën e armëmbajtjes pa leje, me 7 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 1 shtetas tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 12 raste, me 10 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 6 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 4 raste të veprave penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 8 raste, dy prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 5 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe me 2 të tjerë të ndaluar, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Vetëgjyqësia”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të arrestuar; i veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, me 2 shtetas të arrestuar dhe i veprës penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijojnë punën strukturat policore.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, si pasojë e të cilëve 7 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të arrestuar dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.