Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Forex Infinit”, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë.Mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihet në pranga admininstratori i subjektit call center, procedohen penalisht 4 punonjës (operatorë).Sekuestrohen njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Forex Infinit”.Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. Q., 30 vjeç, banues në Tiranë, administratori i subjektit call center.Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: A. B., 23 vjeçe, A. H., 23 vjeçe, E. D., 32 vjeç dhe P. T., 25 vjeç, të katërt banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi O. Q. administronte një subjekt privat call center, në rrugën “Dritan Hoxha”. Në këtë subjekt ishin të punësuar si operatorë shtetasit A. B., A. H., E. D. dhe P. T., të cilët, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
DVP Durrës
-Tentoi të fuste një shumë eurosh, pa i deklaruar në PKK Port Durrës, vihet në pranga 35-vjeçari nga Kavaja. Sekuestrohen 33 000 euro, dyshohet se ishin fituar nga aktivitet kriminal.
-Goditet një rast i tentativës për shpërndarje të lëndëve narkotike në doza, vihet në pranga një 36-vjeçar. Sekuestrohen sasi dozash me kokainë, gati për shitje.
-Kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas të shpallur në kërkim.
1. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin S. C., 35 vjeç, banues në Kavajë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë të PKK Port Durrës, në hyrje të RSH, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 33.000 euro, të padeklaruara. Arerstimi i tij u bë për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarive kriminale”.
2. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, bazuar në inteligjencën informative për një shtetas që ushtronte veprimtarinë e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, organizuan punën dhe falë kontrolleve, në lagjen nr.18, Durrës, bllokuan një automjet me të cilin dyshohej se qarkullonte personi që shpërndante lëndën narkotike.Gjatë kontrollit në automjetin që drejtohej nga shtetasi Xh. I., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi dozash me kokainë, gati për shitje. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. I., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në bagazhin e automjetit të tij, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
3. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në inteligjencën informative, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kapën dhe ndaluan shtetasit në kërkim:Sh. R., 23 vjeç dhe R. H., 25 vjeç, banues në Cërrik dhe në Durrës, të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë Durrës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në datën 31.12.2022, kanë vjedhur në një hotel;Gj. B., 43 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit-Vijon plani operacional i koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit.Në fazën e gjashtë dhe të shtatë, operacioni po vijon në qarqet Gjirokastër dhe Dibër, ku janë vënë në hetim 2 shtetas, për ndërhyrje të padrejta në jetën private.Gjatë kontrolleve, Policia çmontoi në Memaliaj, 3 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, si dhe ka vënë në hetim shtetasin P. K.Ndërkohë, në qytetin e Burrelit, Policia çmontoi 1 kamer të vendosur në kundërshtim me ligjin, si dhe ka vënë në hetim shtetasin G. D.Operacioni policor i koduar “Fijet” vijon.
Malësi e Madhe/Goditet një rast i organizimit të lotarive të palejuara, në ambientet e një lokali.Vihet në pranga pronari i lokalit.Sekuestrohen 3 makineri për lojëra fati.Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të kontolleve për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative se në një lokal zhvillohej veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit, menjëherë është organizuar puna dhe është ushtruar kontroll në lokalin e shtetasit Xh. L.Gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan 3 makineri që përdoreshin për të luajtur lojëra fati.Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i pronarit të lokalit, shtetasit Xh. L., 25 vjeç, banues në fshatin Goraj, Malësi e Madhe.Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
DVKM Vlorë-Policia Kufitare e Vlorës iu vjen në ndihmë 4 shtetasve që kishin ngelur në det dhe e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues që kishte pësuar defekt.Paraditen e sotme, salla operative e Policisë Kufitare Vlorë ka marrë njoftim për 4 shtetas që ishin duke lundruar në det, me një mjet turistik skaf, në vendin e quajtur “Shën Vasil” dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në breg, pasi mjeti lundrues kishte pësuar defekt.Menjëherë pas marrjes së njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, për t’iu ardhur në ndihmë 4 shtetasve, me një mjet tjetër lundrues.Shërbimet e Policisë i kanë nxjerrë ata në breg, duke i shoqëruar me mjetin e Policisë Kufitare. Të katërt shtetasit aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.Policia e Kufitare e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë.
Rinas-Finalizohet operacioni policor i koduar “Sajesa”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik të DVP Tiranë, për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit, me dokumente të falsifikuara, me qëllim kërkimin e azilit.Operacioni u bazua në inteligjencën informative të siguruar nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik të DVP Tiiranë, si dhe falë përdorimit të pajisjeve logjistike bashkëkohore, që tashmë disponon Policia Kufitare, për evidentimin e dokumenteve të falsifikuara.Tentoi të kalonte kufirin, me dokumente të falsifikuara, me qëllim kërkimin e azilit në Mbretërinë e Bashkuar, me pretendimin se në Shqipëriri ishte viktimë e prostitucionit, vihet në pranga 24-vjeçarja.Procedohet penalisht 30-vjeçari që e shoqëronte.Sekuestrohen një pasaportë, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi italiane, të falsifikuara.Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë, në vijim të kontrolleve të detajuara të dokumentacionit që paraqesin shtetasit që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar, bazuar në inteligjencën informative të siguruar nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik të DVP Tiranë, se një shtetase do të kalonte kufirin, me dokumente të falsifkuara, me qëllim kërkimin e azilit, duke mashtuar për arsyen, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sajesa”.Në kuadër të operacionit, në Rinas, u kap dhe u vu në pranga në tentativë për të kaluar kufirin shtetasja M. M., 24 vjeçe.Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin A. S., 30 vjeç, i cili shoqëronte 24-vjeçaren.Gjatë kontrollit të detajuar, në cantën e 24-vjeçares, Policia gjeti dhe sekuestroi një pasaportë, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi italiane, të falsifikuara, të cilat kjo shtetase do t’i përdorte për të kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar, duke sajuar një alibi se në Shqipëri ishte viktimë e prostitucionit.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Mat/informacion paraprak-Rreth orës 14.50, në qytetin e Burrelit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Koliqit”, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, janë dëmtuar me mjet të mprehtë (thikë) shtetasit A.K dhe K.K., banues në Burrel, të cilët janë dërguar për ndihmë mjeksore në spital.Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e policisë, dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e shtetasit G.B., i cili dyshohet se ka goditur me thikë dy vëllezërit.Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 209 shtetas, konkretisht: 69 shtetas janë vënë në pranga, 134 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 25 raste, me 6 shtetas të vënë në pranga dhe me 23 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 21 raste, 2 prej tyre kanë mbetur në tentativë, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, 4 raste rezultojnë ende me autorë të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve, vijon punën Policia, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 15 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 14 raste, me 11 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 11 raste, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe me 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 3 rast të falsifikimit të dokumenteve, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 7 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i krimeve kompjuterike, me autorë të paidentifikuar, në drejtim të të cilit, Policia vijon punën.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 16 raste, 7 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar, për to, vijon punën Policia. Rastet e tjera rezultojnë me 10 shtetas të vënë në pranga, 3 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, janë evidentuar 8 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 33 raste, 3 prej tyre, me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 31 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste, me 6 shtetas të vënë në pranga dhe me 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 17 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale penale: “Dhunimi i banesës”, “Keqtrajtimi i kafshës”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Fyerja”, me 7 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Ngacmimi seksual”, “Vetëgjyqësia” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me nga 1 shtetas të vënë në pranga. 1 shtetas tjetër është ndaluar, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprave penale: në fushën e mosbindjes/kundërshtim të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; “Prishja e qetësisë publike”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, me 17 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 7 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 30 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 24 shtetas të vënë në pranga, si dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.