Qarku Vlorë/ Gjatë orëve të fundit goditen 2 raste të armëmbajtjes pa leje dhe 1 rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, në Vlorë dhe në Sarandë.
Operacioni policor i koduar “Disarmament” u finalizua nga Komisariati i Policisë Vlorë. Vihet në pranga 1 shtetas që qarkullonte me armë zjarri automatik, në qendër të qytetit. Sekuestrohet arma e zjarrit automatik.
Operacioni policor i koduar “Krane” u finalizua nga Komisariati i Policisë Sarandë. Vihen në pranga 2 shtetas që tentuan të trafikonin lëndë narkotike, në drejtim të Korfuzit. Sekuestrohen 2.7 kg kanabis.
Po nga Komisariati i Policisë Sarandë, bazuar dhe në inteligjencën informative se një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, gjatë kontrollit të territorit, në vendin e ngjarjes, u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit automatik. Vijon puna për vënien në pranga të autorit.
Vlorë/Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një shtetas që mbante armë zjarri me vete, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Disarmament”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-R. L., 23 vjeç, banues në fshatin Ramicë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas është me precedent të mëparshëm kriminal për armëmbajtje pa leje.
Pas lokalizimit të 23-vjeçarit, në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë, falë ndërhyrjes profesionale dhe të menjëhershme nga shërbimet e Policisë, është bërë e mundur prangosja e tij.
Gjatë kontrollit fizik, 23-vjeçarit iu gjetën një armë zjarri automatik dhe një krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sarandë/Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbështetur dhe nga inteligjenca informative se 2 shtetas po tentonin të trafikonin lëndë narkotike në drejtim të Korfuzit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Krane”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-A. D., 19 vjeç dhe F. S., 16 vjeç, të dy banues në fshatin Shëndëlli, Sarandë.
Pas lokalizimit të automjetit me drejtues shtetasin A. D. dhe pasagjer shtetasin F. S., në vendin e quajtur “Ura e Kdanenë”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll dhe në pjesën e pasme të automjetit kanë gjetur 2. 7 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, të ndarë në 3 pako të mbështjella me natriban, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sarandë/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, bazuar në inteligjencën informative se një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, në fshatin Xarrë, Konsipol, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e tij.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit A. A., 25 vjeç, banues në Berdenesh, Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatik, në ajër, për të kanosur dy shtetas të tjetrë, me të cilët ka konflikte për një kullotë, në fshatin Xarrë. Më pas, ai ka hedhur armën në një zonë të pyllëzuar.
Gjatë kontrollit të territorit është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit automatik, me të cilën shtetasi A. A. dyshohet se ka gjuajtur në ajër. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me krehrin me fishekë.
Vijon puna për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit A. A.
Materialet për këto raste i kaluan Prokurorisë Vlorë dhe Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.