Qarku Korçë – Vijon operacioni policor “Perimetri”

Qarku Korçë

Vijon operacioni policor “Perimetri”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej të cilëve theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Shpallet në kërkim edhe 1 shtetas tjetër, bashkëpunëtor i dyshuar i tyre.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, kanë goditur një tjetër rast si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve D. Gj., 47 vjeç, banues në Tiranë, K. L., 31 vjeç, banues në Korçë dhe u shpall në kërkim shtetasi E. R., 22 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë.

Shërbimet e Policisë kanë kapur në aksin rrugor Maliq-Lozhan, shtetasin D. Gj., duke transportuar me mjetin tip “Lancia”, 3 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezulton se të implikuar si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje ishin edhe shtetasit E. R. dhe K. L., për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.