Qarku Korçë – Vijon operacioni policor “Perimetri”

Qarku Korçë

Vijon operacioni policor “Perimetri”.

U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas.

Shpallen në kërkim edhe 2 shtetas të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit O. Sh., 17 vjeç, banues në Elbasan.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në rrugën Qafë Plloçë-Qukës, në afërsi të fshatit Kalivaç, Pogradec, shtetasin e mësipërm duke transportuar me mjetin tip “Renault”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve O. Sh., kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se të implikuar në këtë ngjarje janë edhe shtetasit A. B., 53 vjeç, banues në Elbasan (në rolin e organizatorit) dhe Ç. B., 26 vjeç, banues në Durrës (bashkëpunëtor), të cilët u shpallën në kërkim dhe nga ana e Policisë po punohet për kapjen e tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.