Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Në vijim të këtij operacioni, goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Vihet në prangat e policisë një shtetas i shpallur në kërkim, i cili transportoi 12 emigrantë të paligjshëm, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, si edhe bëri kallëzim të rremë pranë organeve të rendit.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, Komisariatin e Policisë Devoll dhe Komisariatin e Policisë nr. 3, Tiranë, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së. Si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit në kërkim V. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Forcat e Policisë, kishin siguruar informacione sipas të cilave, shtetasi i mësipërm transportonte kundrejt fitimit emigrantë të paligjshëm dhe më datë 23.08.2020, e kanë lokalizuar këtë të fundit në fshatin Cangonj, Devoll, duke drejtuar mjetin tip “Ford” dhe janë vënë në ndjekje të tij ku i kanë bërë me shenjë të ndalonte, por 37-vjeçari nuk iu bind urdhrit të tyre, braktisi mjetin dhe u largua me shpejtësi. Gjatë kontrollit në brendësi të mjetit, u gjetën 12 emigrantë të paligjshëm, të cilëve V. Sh., kundrejt fitimit prej 100 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Më pas shtetasi i mësipërm, është paraqitur në Komisariatin e Policisë nr.3, Tiranë, duke bërë kallëzim të rremë pranë organeve të rendit, se i kishin vjedhur mjetin tip “Ford”, që ky shtetas kishte marrë me qira.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kallëzimi i rremë”.