Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
U kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-Korçë, Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. F., 38 vjeç, banues në Korçë.
Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e policisë, pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut”, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Mercedes-Benz”, 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Po punohet për identifikimin dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale, të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.