Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Kapet duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. M., 31 vjeç, banues në Laprakë, Tiranë.

Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin Pogradec-Qafë Thanë, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Volkswagen”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit 200 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.