Qarku Korçë – Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, për ndalimin e shtetasit Arben Gajtani, 47 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, i cili u ekstradua ditën e djeshme nga Maqedonia. Këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 03.02.2022, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq bënë arrestimin në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, të shtetasit A. Sh., 21 vjeç, banues në fshatin Vashtmi, Maliq, pasi dyshohet se ka dhunuar fiziksht, në banesë, bashkëjetuesen dhe nënën e tij, shtetaset E. T., 21 vjeçe dhe A. Sh., 42 vjeçe.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, të shtetasit J. Ç., 28 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas, ditën e djeshme, në unazën e qytetit të Korçës, duke drejtuar mjetin tip “Range Rover”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe është larguar me shpëjtësi, por më pas u kap dhe neutralizua. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimin penal në gjendje të lirë për veprën “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, për shtetasin D. F., 50 vjeç, banues në Pogradec, pasi në fshatin Barç, Korçë, në banesën në përdorim të këtij shtetasi, nga punonjësit e Ujësjellës Kanalizime Korçë, u konstatua lidhje e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimin penal në gjendje të lirë për veprën “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin S. S., 62 vjeç, banues në Pogradec, pasi u konstatua duke kryer punime pa leje, në banesë.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.