Qarku Korçë – Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 4 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H., 37 vjeç, banues në fshatin Kurilë, Devoll, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi në aksin rrugor Zagradec-Bilisht, u kap duke drejtuar mjetin tip “Opel”, në gjendje të dehur.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin A. J., 52 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, pasi në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Dishnicë, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij tip “Benz”, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi mallrash ushqimore, për të cilat nuk kishte kryer procedurat doganore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin D. K., 38 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi K. Z., me detyrë administrator i një subjekti që shpërndan sinjalin e internetit, i cili ka deklaruar se në fshatin Turan, Korçë, shtetasi D. K. i ka dëmtuar kabllot optikë.

Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin V. M., 56 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, pasi në lagjen nr. 17, Korçë, pas një konflikti të çastit me shtetasin I. Z., 31 vjeç, banues në Korçë, i ka thyer këtij të fundit, dy xhamat e automjetit tip “Benz”që kishte në përdorim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen M. K., 30 vjeçe, banuese në Shkup, Maqedoni e Veriut, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bagazhet e kësaj shtetaseje, iu gjetën e iu sekuestruan disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.