Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim A. D., 49 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, e ka dënuar me 45 ditë burg për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga Komisariati i Policisë Devoll.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë ekzekutimin e vendimit të Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit E. K., 26 vjeç, banues në Divjakë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 21.07.2022, caktoi për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
—
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. K., 61 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, gjithashtu referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Zh. V., 17 vjeç, të dy banues në fshatin Zvirinë, Maliq.
Këta shtetas duke drejtuar respektivisht mjetin tip “Toyota Yaris” dhe një motor pa targa, pa dokumentacionin përkatës, janë përfshirë në një aksident mbrëmjen e djeshme, në aksin nacional Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Leminot, Maliq, ku si pasojë e përplasjes ka marrë dëmtime drejtuesi i motorit Zh. V., i cili pasi mori mjekim në Spitalin e Korçës, u dërgua në Tiranë për mjekim më të specializuar, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. M., 65 vjeç, banues në fshatin Verri, Pogradec, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike në mënyrë të përsëritur, ndaj bashkëshortes së tij shtetases S. M., 60 vjeçe.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.